23 Shtator, 2022 - 11:45 am
Vokacioni artistik i Marie Logorecit do të shpalosej që në krye të vajzërisë, teksa pat nisur të luante rolet e para në teatrin e shkollës. Talenti që zotëronte depërtonte edhe në drejtim të muzikës. Në vitin 1945, nisi të këndojë në valët e Radio Tiranës dhe repertori i saj u zgjerua në koncertet e njëpasnjëshme të mbajtura brenda dhe jashtë vendit. Mandej, në vitin 1947 u ngjit për herë të parë në skenën e Teatrit Popullor, për të mishëruar personazhin e Elmirës në kryekomedinë e Molierit, “Tartufi”.
Në ekranin e zi të filmit do të plazmohej së pari në filmin “Skënderbeu”. Nuk do të mungonte as në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj”, si edhe as në filmin e parë tërësisht shqiptar, “Tana”. Disa prej roleve të saj të pritura më mirë nga publiku janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja tek “Toka jonë”, Gertruda tek “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe Gjela te “Përmbytja e madhe”.
Logoreci ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Krahas urdhrave dhe medaljeve të shumta, artistja ka përftuar edhe titujt e lartë “Artiste e Popullit”, “Artiste e Merituar” (dokumentet më poshtë) dhe “Nderi i Kombit”./ KultPlus.com