26 Dhjetor, 2022 - 9:30 am
Më 26 dhjetor 1968 në kuvendin federativ të RSFJ u aprovuan amendamentet në kushtetutë, me të cilat u zgjerua autonomia e krahinave të Kosovës dhe Vojvodinës duke u dhënë statusin e ngjajshëm me atë të republikave. Krahinat fituan kushtetutën krahinore. Krahina e Kosovës dhe Metohisë e mori emrin Kosovë.
Përkundër kontributit në luftën kundër fashizmit, përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk solli për shqiptarët rezultatet e pritura dhe realizim të vullnetit të njohur për vetëvendosje dhe për një shtet të përbashkët. Përkundrazi, tokat shqiptare u copëtuan, synimet kolonialiste të Serbisë nuk u ndërprenë, ndërsa dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi.
Padrejtësitë ndaj shqiptarëve bënë që një pjesë e madhe e tokave të tyre të mbeten të aneksuara nga shteti jugosllav, si vazhdimësi e aneksimit të Serbisë hegjemoniste e kolonialiste. Të gjetur në një situatë të tillë dhe përballë masave shtypëse ushtarako – policore të regjimit jugosllav, të cilat vazhdonin të rëndoheshin, populli shqiptar detyrohej të rezistonte në mbrojtje të ekzistencës e të identitetit të tij, por edhe për të përmbushur vullnetin legjitim të tij politik e kombëtar.
Të privuar nga çfarëdo e drejte kombëtare nga politikat shtypëse e kolonizuese të Serbisë në kuadër të Jugosllavisë, pesëdhjetë vjet më parë, pikërisht më 1968 shqiptarët nisën demonstratat për të drejtat e tyre politike e kombëtare, ku për herë të parë u kërkua publikisht që Kosova të bëhet Republikë, që popullit shqiptar t’i njihet e drejta për vetëvendosje, përdorim të lirë të flamurit kombëtar, universitet shqip, ndalje të kolonializmit serbë dhe të drejta të barabarta me kombet tjera.
Demonstratat e vitit 1968 bënë një kthesë të madhe të gjendjes së shqiptarëve dhe afirmuan çështjen e Kosovës si çështje të pazgjidhur, shpërfaqen dhunën dhe politiken shtypëse serbo-jugosllave ndaj shqiptarëve, por edhe afirmuan vendosmërinë e popullit shqiptar në rrugën e pandalshme të avancimit të të drejtave të tyre për Republikë e bashkim kombëtar.
Për rrjedhojë, demonstratat nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, të rinisë, studentëve, punëtorëve e gjithë popullit pa dallim, vulosën të drejtën dhe vullnetin e shqiptarëve për krijimin e Republikës së Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje. Viti 1968, ishte vit i protestave e demonstratave kudo në Evropë e botë, por për shqiptarët ngërthen një ngjarje të patejkalueshme, themeltare për përpjekjet e rezistencën që do të vinte më pas, luftën çlirimtare e shpalljen e pavarësisë.
Pesëdhjetë vjet nga atëherë, si një ngjaje tanimë monumentale, na kujton se ecja drejt lirisë e pavarësisë ishte ecje nga ngjarja në ngjarje, secila e frymëzuar nga pararendësja e që frymëzonte e mundësonte pasueset. Përpjekjet për ta ndërprerë dialektiken e prosperitetit të shqiptarëve janë tentim për zvetënim. Tabani i rezistencës me demonstratat e 68-së, 81-së, 90-së e 97-së për të kulmuar me luftën çlirimtare ka përcaktuar jo vetëm të tashmen tonë por do të përcaktojë edhe të ardhmen e shqiptarëve. Demonstratat e nëntorit të vitit 1968, ashtu si edhe demonstratat pasuese e lufta e UÇK-së shënojnë hallkat e vazhdimësisë së lëvizjeve për çlirim kombëtar, të filluara që me Lidhjen e Prizrenit.
Në demonstratat e vitit 1968, u manifestua vetëdije e lartë kombëtare e politike dhe u dërgua mesazh i qartë, që shërbeu si frymëzim për shqiptarët edhe më pas, sikurse do të vazhdojë të na orientojë edhe në të ardhmen. Jehona e brohoritjeve të atëhershme “Vetëvendosje”, “Kosova Republikë” etj, kumbon edhe sot, kur pretendimet e Serbisë për Kosovën mbesin po ato. Politikat hegjemoniste të Serbisë, përkundër krimeve e gjenocidit, nuk kanë ndryshuar në raport me trajtimin e shqiptarëve dhe aspiratat për tokat tona as pesëdhjetë vite më pas. Me kanosjen e vazhdueshme nga këto politika, mobilizimi gjithpopullor në mbrojtje të Republikës dhe tokave tona mbetet angazhimi më sublim të cilën brezat e demonstratave të 68-s na e lanë si shëmbëlltyrë dhe rrugë, për ta përdorur atëherë kur politikat udhëheqëse të konjunkturës bëhen hisedarë a symbyllur në një rrezik të tillë. / KultPlus.com