Me 27 shtator mbahet Kuvendi i parë ndërkombëtar mbi studimet për arbëreshët

18 Shtator, 2021 - 3:25 pm

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për arbëreshët ka njoftuar ditën e sotme se në datat 27-29 shator do të mbahet Kuvendi i parë ndërkombëtar, ”Gjendja aktuale e studimeve mbi arbëreshët”, transmeton KultPlus.

Për herë të parë, ky Kuvend do të nxjerrë në pah gjendjen aktuale të studimeve të kryera ndër kohëra, në gamën që ngërthejnë lëmi, të tilla si: gjuhësia, letërsia, historia, antropologjia, publicistika dhe kultura në përgjithësi.

Në fokus të referateve dhe kumtesave do të jetë vepra studimore e kryer si nga studiuesit arbëreshë brenda Italisë e Kroacisë, po aq edhe nga studiuesit në trevat e tjera shqipfolëse.

Referatet dhe kumtesat e këtij Kuvendi pritet të kontribuojnë për orientimin e studiuesve dhe lexuesit në përgjithësi për të kuptuar qartë nivelin sasior dhe cilësor të studimeve mbi arbëreshët, si dhe për të dritësuar fushat dhe aspektet e pastudiuara mbi këtë lëmi.

Pjesëmarrës të Kuvendit të parë Ndërkombëtar, të organizuar nga QSPA, do të jenë studiuesit më të rëndësishëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Me këtë Kuvend (i parashikuar të realizohej një vit më parë, por i penguar për shkak të pandemisë) hapet cikli i tre prej aktiviteteve më të rëndësishme të Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, ku do të pasohet në muajin nëntor me konferencën “Shteti shqiptar dhe arbëreshët (rasti i arbëreshëve të Italisë dhe Arbneshëve të Zarës në Kroaci” dhe me Konferencën Ndërkombëtare “Gjuhët e Rrezikuara dhe Diaspora” (Dhjetor, 2021). Ju mirëpresim!” shkruhet në njoftimin zyrtar të QSPA. / KultPlus.com

Të ngjajshme