28 Qershor, 2024 - 9:04 am
Armët kishin pushuar qysh në nëntorin e vitit 1918, por Lufta e Parë Botërore u mbyll zyrtarisht shtatë muaj më pas. Gjermania i quajti të padrejta vendimet e marra, por i miratoi me protesta të mëdha.
Shpresat e Philipp Scheidemann për rrethana lehtësuese mbetën të paplotësuara. Kancelari i shquar i Gjermanisë, i cili kishte dalë nga revolucini, i konsideronte të papranueshme vendimet e marra në Konferencën e Paqes në Paris. “Cila do të ishte ajo dorë që nuk do të ishte tharë nëse do ta vinte vendin në pranga të tilla?”, thoshte socialdemokrati. Scheidemann, i cili më 9 nëntor 2018 kishte shpallur Republikën e Vajmarit. Ai përshkruante me këto fjalë gjendjen mbisunduese në vendin e tij.
Traktati i Paqes rezultoi si një hipotekë e rëndë për demokracinë e re. Rajhu gjerman ishte i detyruar të paguante miliarda si reparacione lufte, humbi kolonitë në Afrikë, Azi dhe Oqeanin Paqësor dhe duhej t’u dorëzonte shteteve të tjera edhe 13 përqind të territorit: Alsace-Lorraine shkoi në Francë, një pjesë e madhe e Prusisë perëndimore iu dhanë Polonisë. E veç kësaj, fuqitë fitimtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Italia, i shpallën Gjermaninë dhe aleatët e saj përgjegjësit e vetëm për luftën. Ata i kishin “detyruar” kundërshtarët e tyre të futeshin në luftë dhe ishin përgjegjës për “të gjitha humbjet dhe dëmet e tyre”.
Gjermania detyrohet të nënshkruajë
Më 28 qershor 1919, u vulos Traktati i Paqes në Pallatin e Versajës, pranë Parisit, pa nënshkrimin e kancelarit gjerman, Scheidemann, i cili sapo kishte dhënë dorëheqjen. Por Gjermania u detyrua më pas ta nënshkruante, edhe pse nuk pajtohej fare me të. Fituesit e luftës e kishin kërcënuar se do ta pushtonin me trupa.
Renania ishte tashmë e pushtuar që nga armëpushimi i 11 nëntorit 1918. Për shkak të kushteve të ashpra të Traktatit të Versajës, në perceptimin gjerman ishte një “paqe e diktuar”. Historiani nga Marburgu, Eckart Conze, thotë se gjermanët nuk u përfshinë fare në bisedimet e paqes dhe nuk kishin fare gisht në hartimin e traktatit.
Edhe pse Gjermanisë iu vunë kushte të vështira, ajo mundi të mbetej një shtet komb i fuqishëm në mes të Evropës. Përveç kësaj, reparacionet e vendosura në fillim u modifikuan për shkak të paaftësisë së Gjermanisë për të paguar. Gjermania arriti ta ulë shumën prej 132 miliardë Markash që vendosën fuqitë fitimtare në vitin 1921 deri në 36 miliardë. Në vitin 1932 pagesat u pezulluan komplet për shkak të Krizës Botërore, kujton Conze, një moment së paku pozitiv ky për Gjermaninë.
Djathtistët dhe Hitleri
Kundërshtarët djathtistë të Republikës e përdorën Traktatin e Versajës si një instrument “për të luftuar demokracinë dhe për ta shkatërruar atë”, thotë Conze. Vrasjet politike nuk ishin të rralla. Viktima më e famshme ishte Ministri i Jashtëm, Walter Rathenau, i cili u qëllua në 1922 nga ekstremistët e krahut të djathtë në Berlin. Për ta liberaldemokrati ishte një simbol i urryer i të ashtuquajturës “politikë të përmbushjes” kundër fuqive fitimtare të Luftës së Parë Botërore.
Traktati i Versajës nuk e realizoi dot shpresën për paqe të qëndrueshme. Me ardhjen në pushtet të Adolf Hitlerit, koha e vetëpërmbajtjes së gjermanëve mori fund. Nazistët u armatosën, megjithëse nuk u lejohej, dhe krijuan aleanca të reja me vende fashiste si Italia dhe Spanja. Politika paqësuese e Britanisë nuk pati rezultat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk luanin më një rol aktiv në Evropë. Dhe Lidhja e Kombeve, e themeluar nën Traktatin e Paqes, u tregua shumë e dobët për të parandaluar katastrofën e ardhshme globale.
Conza thotë se së paku, pas Luftës së Dytë Botërore, u nxorën mësime më të mira: nën udhëheqjen e SHBA-ve u krijuan “organizata shumëpalëshe dhe një sistem ndërkombëtar me bazë rregullash”. Ky rend duket se u përhap në të gjithë botën pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989 dhe në fund të Luftës së Ftohtë. “Sot, megjithatë, bota përballet me më shumë sfida se kurrë më parë.” Një nacionalizëm i ri dhe unilateralizëm, ushqyer nga populizmi dhe autoritarizmi, kërcënojnë stabilitetin e rendit ndërkombëtar. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëron për “demonët e vjetër” të periudhës së dy luftërave, të cilët janë zgjuar sërish. “Kjo është një tjetër arsye pse ‘Versaja’ sërish na duket kaq afër” thotë Conze/DW. / KultPlus.com