7 Mars, 2023 - 9:18 am
Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.
Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht:
“… Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtore 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë”.
Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.
Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen./ KultPlus.com