28 Shkurt, 2022 - 12:47 pm
Viti 2022 nisi me femicid. Lirije Qerimajn e vrau burri i saj. Patriarkalizmi i i rrënjosur në familje, shoqëri e shtet, e la Lirijen të pambrojtur nga dhuna e vrasja. Vrasjet e grave janë të normalizuara, ndërmjetësuara dhe të kontrolluara nga institucionet patriarkale publike dhe private. Femicidi – vrasja e grave se janë gra – tregon që secila grua asht e pasigurtë, e pasiguria jonë, do të duhet të jetë urgjencë e shtetit. Prandaj edhe ky 8 mars na gjenë të revoltuara ndaj dhunës sistematike ndaj vajzave e grave dhe vrasjes së tyre.
Edhe këtë 8 mars, “Marshojmë s’festojmë” kanë marrë forcën nga njëra-tjetra dhe me zërat e trupat të grave që të ngriten për t’i kundërshtuar padrejtësitë ndaj çdo vajze a gruaje kudo. Përmes marshit protestues në rrugë, revoltës në punë a shtëpi, gratë do t’i kundërvihen patriarkatit shtypës.
“Ne organizohemi çdo 8 mars e luftojmë çdo ditë për siguri, liri e barazi, që e drejta për jetë të na takojë të gjithave/ëve njëjtë, të kemi barazi ekonomike, të jemi të lira/ë nga racizmi, mizogjenia, seksizmi, homofobia, transfobia e çdo formë tjetër e shtypjes që po na dhunon dhe po na vret. Ne i ftojmë të gjitha/ë në në luftën tonë të përbashkët për çlirim, barazi gjinore e drejtësi shoqërore, dhe në solidaritet gjinor, racor, klasor e ndër-shtetëror”, thuhet në njoftimin e tyre.
Këtë vit marshi në Prishtinë do t’i ketë tri pikëtakime kryesore:
10:00 – Pallati i Drejtësisë, Hajvali, Prishtinë
11:20 – Rrethi i Flamurit, Prishtinë
12:00 – Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, për të vazhduar në trajektoren tradicionale deri te Qeveria e Kosovës.
Nisja për në Hajvali bëhet me autobusë të organizuar nga Kolektivi „Marshojmë s’festojmë” tek parkingu pranë TV21 – në ora 9:40.Manifestimi i sivjetëm i 8 marsit nga „Marshojmë s’festojmë“ (deri tani) do të bëhet në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Obiliq, Pejë, Gjilan, Rahovec, Lipjan, Shtime, Vushtrri. /KultPlus.com