18 Tetor, 2021 - 2:28 pm
Dashuria dhe pasioni për muzikën nisi herët për muzikantin e njohur korçar, Tomi Kondakçi. Ndërsa kitarën e mori për herë të parë në duar në vitin 1969 në moshën 10-vjeçare.
Ëndrrat e tij ishin të mëdha për të ndërtuar jetën artistike në Amerikë, larg diktaturës komuniste. Por këto ëndrra do të priteshin në mes ende pa u pjekur mirë. Muzika që aq shumë e donte, do të ishte një nga arsyet kryesore të kaluarit të vuajtjeve të tij, por edhe siç thotë vetë ai, pasioni ishte aq i madh saqë edhe po të kthente kohën pas do të vepronte po njësoj.
Ai donte të jetonte i lirë me kitarën e tij. E një tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, i dështoi Tomit. Ai ishte 19 vjeç kur u dënua nga gjykata e Korçës për “tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes së mbetur në tentativë” dhe për “agjitacion e propagandë”.
Ditën e sotme ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku foli në lidhje me dënimin e tij prej 12 vitesh. Dënimi i tij u nda mes Spaçit dhe burgut të Qafë Barit.
E teksa ishte shumë i ri, ai u përball me një jetë të vështirë në burgjet famëkeqe të historisë së Shqipërisë, duke luftuar për të mbijetuar me të vetmin motiv që e mbante me shpresë: pasioni për muzikën.
Kondakçi e kishte shprehur pasionin e tij për muzikën dhe këtë e kishin vënë re edhe punonjësit e burgut, të cilët e urdhëruan që të këndonte një këngë për diktatorin, Enver Hoxha.
Në intervistën me emisionin “Shqipëria Live”, ai u shpreh se gjeti një mënyrë që të refuzonte që të mos këndonte për diktatorin.
“Një instrument që ishte në burg, nuk të vinte rasti që ti bije. E një rast që më erdhi duhej të këndoja për Enverin. Kjo nuk më dukej mirë, e si pasojë vendosa që të limoja gishtat me sqepar. Isha 20 vjeç në atë kohë, viti i parë i burgut”, tha ai.
I pyetur nëse kundërshtoi menjëherë, Kondakçi tha se e kishte menduar se çfarë do të bënte, pasi e dinte se do të hakmerreshin.
“E mendova, se nuk mund të këndoja për atë që më futi brenda. A mund t’i këndojë një njeri persekutontit të tij? Sot mund të jetë ndryshe, por në atë kohë ishte mentaliteti. Më morën pjesën më të bukur, rininë”, tha artisti.
Ky i fundit shtoi se nëse do të ishte në një koncert edhe mund të këndonte këngë për Enver Hoxhën.
“Mund ta bëja. Sepse ndryshimi midis jetës jashtë dhe brenda në burg, janë dy këndvështrime të ndryshme. Në jetën e lirë, kalohen gjërat më mirë. Nga ajo rini me ato ëndrra, i nisur me një mendim në kokë për të ecur në muzikë, ti bie në ferr.
Sa isha brenda në burg nuk preka kitarë me dorë, tetë vite. Nuk kishte instrumente. Sot e mendoj se ka qenë me qëllim. Ky ka një emër, arratiset për të kënduar. Ja ta provokojmë, ta thyejmë në këtë pikë. Në një farë mënyre poshtërim.
Nëse do të refuzoja do të kisha një ribënim. Kjo ishte një revoltë në heshtje që e kuptuan dhe më dënuan sërish. Nuk ishin aq mos hakmarrës. Ndaj atij gjesti u hakmorën përsëri”, tha Kondakçi.
Ky i fundit gjithashtu foli edhe për pasionin e tij të madh muzikën, që i bashkëngjiti edhe kitarën si shoqërues.
“Dëshira e parë ka qenë kënga, e për të patur një shok për të shoqëruar veten duhet edhe një instrument. E kitara ishte më e afërta për serenatat, edhe neve na ngjiste. Kjo ishte arsyeja pse studiova kitare.
Kryesisht në atë kohë dëgjoja muzikë italiane dhe më pas u amerikanizua, e më pas e morën sllavët atë lloj melodie, karakter të asaj muzike. Por edhe angleze, gjithnjë kishte këngë të bukura, sidomos ajo periudhë.
Doja të largohesha nga Shqipëria se këtu nuk gjeja liri, arti ishte brenda kornizave. Tematika në muzikën e huaj ishte shumë herë më e gjerë.
Asgjë nuk kisha me vete, mendjen për të ikur kisha. Doja të shkoja në Amerikë se atje ishte liria. Edhe sot është liria atje. Amerika ishte ëndërr për të gjithë ne. Doja të shkoja që të isha gjithmonë në drejtim të muzikës. Kënga ishte ëndrra. Pasioni është vërtetë i mirë dhe është si puna e djallit që nuk të lë rehat, por shkolla duhej”, tha Kondakçi./ KultPlus.com