Me mesazhe për dashurinë e fuqizimin e gruas, mbahet mbrëmja poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”

3 Mars, 2023 - 11:21 pm

Flonja Haxhaj

Artistë të fushave të ndryshme u mblodhën mbrëmë në Prishtinë për të sjellë nëpërmjet poezive, muzikës e vallëzimit emocione të paharrueshme, për të përcjellë një mesazh të vetëm,dashurinë.

Në një ambient me shumëllojshmëri ngjyrash, artistët shqiptarë, romë, serbë dhe francezë, mbrëmë në menzën  ‘Ramiz Sadiku’ mbajtën mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, shkruan KultPlus.

Përveç emocioneve, kjo mbrëmje ishte një solidarizim me tri gra kryefamiljare nga Klina, Skenderaj, dhe Mitrovica, qytete këto të prekura nga vërshimet në muajt e fundit.

Regjisorja dhe drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha, tha se nëpërmjet këtyre poezive inspiruese dhe frymëzuese shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas.

“Me’Poezi për Fuqi’ sonte ne shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe shpresojmë që nga këto poezi inspiruese të interpretuar nga poetët/poetët, artistet/artistët dhe aktivistet/aktivistët, do të sjellë këtë mbrëmje në një nivel i cili do të na kënaqë shpirtërisht dhe do të na frymëzojë e inspirojë për dashuri dhe shohim të mirën tek njëri-tjetri”, u shpreh Hoxha.  

Mbrëmja nisime poezitë e Sibel Halimit, Arbër Selmanit, Gili Hoxhajt e Shpëtim Selmanit, të cilët ndanë me publikun disa nga poezitë e tyre inspiruesee që u përcollën me duartrokitje të shumta nga publiku.

E pas tyre, nën shoqërimin Ilir Bajrit në piano dhe Arian Randobravës në saksofon, Semira Latifi solli edhe argëtim në publik përmes këngëve shqiptare dhe të huaja e që u shoqëruan nga trupa e kërcimtarëve Noa Dance Theatre, Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha, dhe Ibrahim Tusha. E krejt kjo koreografi u realizua nga Robert Nuha.

Ndërkaq, më pas në skenën dolën  Anisa Ismaili, Aleksandra Jovičić, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajlovic, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli, të cilët me poezi në gjuhë të ndryshme sollën mesazhe të fuqishme që në thelb kishin dashurinë dhe fuqinë e gruas.

Po ashtu, poezi të tjera si ato të Harold Norse, Luljeta Leshanaku, Eli Krasniqi, Suela Bako, Mario Benedeti, dhe të Kujtim Paçakut, u interpretuan mbrëmë nga Trupa Artistike Rezidente e Artpolis, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi, dhe Zhaneta Xhemajli.

E për të përmbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe këtë vit, publiku patimundësi që në pjesën ‘Mikrofoni i Hapur’ të interpretojnë poezi e këngë të përzgjedhura nga vetë ata./ KultPlus.com

Të ngjajshme