16 Maj, 2023 - 4:28 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, hapësira dhe enterieri i veçantë i menzës ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë kishte marrë një pamje krejt tjetër meqë po shënohej hapja e edicionit të 11-të të ‘FemArt’, i cili organizohet nga ‘Artpolis’. Publiku jo i vogël në numër kishte mbushur plot ulëset e salles, e shumë të tjerë me shumë kuriozitet kishin vendosur që këtë mbrëmje të veçantë ta ndiqnin në këmbë, shkruan KultPlus.
Dalëngadalë po shënonte ora 20:00, e kështu edhe po i vinte koha hapjes. Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, njësoj me slloganin e sivjetëm në këtij edicioni, hapja u shënua me këngën ‘Kalle tuten’ interpretuar nga këngëtarja Zana Berisha shoqëruar nga kitaristi Urim Maliqi.
Ky interpretim rrëqethës, solli emocione të pashoq qysh në fillim e që nuk u ndalën gjer në përfundim të mbrëmjes.
Më pas, radha i erdhi shfaqjes ‘Fefu dhe shoqet e saj’, me regji të Arlinda Morinës. Shfaqje kjo e cila vjen si rezistencë e grave, dhe një fuqi për të vazhduar jetën, që gratë të jenë të bashkuara, e të mbrojnë njëra-tjetrën. Artistet e Trupës Artistike Rezidente të Artpolis, Aurita Agushi, Zhaneta Xhemajli, Qendresa Kajtazi, Donikë Ahmeti, Kaltrinë Zeneli, Blerta Gubetini, Dora Xhemajli sollën një rrëfim emocional, emancipues për sfidat e grave në sistemin patriarkal.
Pas hapjes, mes emocionesh për KultPlus foli drejtuesja e ‘ArtPolis’, Zana Hoxha, e cila u shpreh e lumtur që ky edicon filloi pikërisht me këngën ‘Kalle Tuten’ dhe shfaqjen ‘Fefu dhe shoqet e saj’.
“Në hapjen e këtij edicioni pati një numër goxha të madh të publikut që kanë ardhur ta shijojnë shfaqjen. Ishte një hapje e cila filloi me këngën ‘Kalle tutën’, e cila është e bazuar në tektin që e kemi sivjet si moto dhe pastaj me shfaqjen ‘Fefu dhe shoqet e saj’ e cila është premierë dhe që e elektrizoi publikun sepse është një shfaqje ku publiku dhe aktorët janë shumë pranë njëri-tjetrit. Temat janë të lidhura me seksizmin, diskriminimin, paragjykimet dhe mizogjeninë e grave ndaj grave”, deklaroi Hoxha.
Më pas, Hoxha u shpreh se festivali sivjet i ka 28 ngjarje, e ku do të prezantohen 15 shtete me reth 200 artistë dhe artiste, aktivistë dhe aktiviste që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës.
Më tutje, ajo foli edhe për slloganin, i cili përveç që zgjoi kureshtje të madhe, u mirëprit mjaft në publik.
“Sllogani ‘Kalle Tuten’ ka qenë një propozim i aktorëve dhe stafit të ‘Arpolis’. Kjo organizatë ka rreth 23 persona të punësuar rregullisht prej të cilëve 12 janë artistë dhe 11 staf, duke përfshirë këtu aktorë, koreografë e regjisorë dhe ne shumë shpesh në vit bëhemi bashkë dhe reflektojmë për sukseseset për sfidat e problemet por edhe për planet dhe kështu ky sllogan erdhi si ide”, tha Hoxha duke su shprehur e lumtur që ky sllogan është mirëpritur shumë në publik.
Pas një paraqitje të suksesshme e që u përcoll me duartrokitje të shumta në publik, për KultPlus foli edhe Arlinda Morina, regjisorja e shfaqjes ‘Fefu dhe shoqet e saj’, e cila vlerësoi lart paraqitjen e aktoreve dhe tha se qëllimi i saj për të sjellë një shfaqje shumë afër publikut, u arrit në këtë mbrëmje.
‘Është problem ta shfaqim një shfaqje në një ambient të tillë sepse njerëzit janë mësuar të shohin shfaqje në teatër. Megjithatë, qëllimi im ishte që ta bëj të mundshme që publiku të kënaqet duke shijuar një shfaqje edhe në një kafene. Jam shumë e kënaqur me prezantimin e aktoreve, më kanë dhënë shpirt, dije dhe inspirim për gjithka”, tha mes tjerash Morina, duke shtuar se shpreson që pas kësaj paraqitje, kjo shfaqje të udhëtojë edhe më tutje.
E krejt në fund mbrëmja u përmbyll me performancën elektrizuese të artistes nga Bosnja e Hercegovina, Dj Marina Mimoza nën tingujt e muzikës elektronike./KultPlus.com