Me moton ‘Libri triumfon’, hapet edicioni i 23-të i Panairit të Librit

6 Qershor, 2023 - 5:20 pm

Sot u bë ceremonia e hapjes së edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Panairi i Librit në Prishtinë është një panair i përvitshëm kushtuar librit ku mblidhen të gjitha shtëpitë botuese dhe dashamirët e librit, jo vetëm nga Kosova por edhe nga viset përreth.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe shumë fytyra të tjera njohura morën pjesë në këtë panair.

Mysafir nderi në këtë Panair të Librit, ishte vetë i madhi Ismail Kadare, së bashku me bashkëshorten e tij.

Moderatori Rron Gjinovci, e ftoi parinë shtetërore për një fjalim rasti. Por para se t’i thërrasë ata, ai e ftoi shkrimtarin shqiptar me famë mbarëbotërore, gjeniun e shkrimit, ikonen e letërsisë, Ismail Kadaren.

“Çkado që mundohem për ta përshkruar këtë njeri, rrezikoj të përfundoj duke thënë diçka klishe, andaj zonja dhe zotërinj ta mirëpresim shkrimtarin Ismail Kadare”, tha Gjinovci
I lodhur pak, por shumë i mirëpritur nga të gjithë të ftuarit. Me një fjalim të shkurtë por të dashur, Kadare citoi:

“Jam shumë i gëzuar që ndodhem midis jush në këtë ditë kaq të bukur dhe frymëzuese. Ne shqiptarët për fat të keq disa herë jemi ndier të neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, jemi rikthyer dhe unë shpresoj se do rikthehemi më mirë, më fort, më bukur. Ju falënderoj për këtë pritje kaq të gëzueshme”, shtoi Kadare.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, doli për një fjalim rasti.

“Panairi është si një festival i librit. Lexuesi mund të vijë çdo ditë. Panairin unë vetë e ndjej si një qytezë por edhe si një shoqëri të hapur me një mendje të hapur”, tha kryeministri Kurti.

Kurti vlerësoi lart gjithashtu kontributin e Ismail Kadare dhe veprat e tij për kombin tonë shqiptar.

“Unë për veten time për çdo vit e lexoj “Përbindëshin”, “Kronikë në gur”, “Aksidentin” dhe “Pallatin e ëndërrave”. Romanet e tij të bëjnë ta braktisësh profesionin që ke. Prandaj është e domosdoshme për mua ta mbaj këtë ritëm njëherë në vit dhe jo më shpesh”, tha mes tjerash Kurti.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca teksa ka falënderuar Ismail Kadarenë që letërsinë shqipe e bëri të përbotshme, tha se, shkrimtari është ngritur në simbolin më të lartë e kuptimplotë për popullin tonë. Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh me këtë rast se kryeqyteti është shndërruar në vatër që shpalos magjinë e fjalës në letër. Rama tha se është e qartë se inkurajimi i të rinjve për të lexuar libra duhet të përshtatet me epokën digjitale, por gjithmonë duke e ruajtur thelbin e të shkruarit.

Në edicionin e 23-të të panairit të librit “Prishtina 2023”, marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora. Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se janë rreth dy mijë tituj të rinj. Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa përvjetorë si: 120-vjetori i lindjes së Ernest Koliqit, 110-vjetori i lindjes së Petro Markos, dhe 100-vjetori i lindjes së Jakov Xoxës.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale.

Panairi do të qëndrojë i hapur deri pasditen e 11 qershorit./KultPlus.com

Të ngjajshme