26 Shtator, 2019 - 1:45 pm
Më 10 tetor, në Prishtinë, nga komuniteti LGBTI, përkrahës dhe aktivistë, do të organizohet Parada e Krenarisë në Kosovë.
Paradës do t’i paraprijnë aktivitete të shumta të Javës së Krenarisë që do të zhvillohen në datat 7, 8 dhe 9 tetor. Parada e Krenarisë do të mbahet me 10 tetor me fillim nga ora 11:30 në sheshin “Skënderbeu” dhe do të përfundojë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë duke u përmbyllur me një koncert.
Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është: “Për kon t’rreh zemra”.
Këtë vit, na rreh zemra për drejtësi.
Na rreh zemra të kemi lirinë të jemi vetvetja dhe të shprehemi lirshëm. Na rreh zemra që të kemi siguri në rrugë, shkollë e institucione shtetërore. Për një shtëpi të sigurt në të cilën trajtohemi me dinjitetin që e meritojmë. Na rreh zemra për Dashni. Na rreh zemra për njëri-tjetrin.
Të zëshëm e të dukshëm, sikurse dy vitet e kaluara, edhe këtë vit Java e Krenarisë do të adresojë çështje të gjendjes aktuale të personave LGBTI në shoqërinë kosovare, e cila vazhdon të mos i trajtoj personat LGBTI si të barabartë. Parada e Krenarisë synon të fuqizoj personat LGBTI për tu përballur me diskriminimin e përditshmen në Kosovë. Qëllimi jonë është të qëndrojmë të bashkuar ndaj çdo sfide.
Organizatorë janë Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL) me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD) dhe Nisma e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS). Organizatorët ftojnë institucionet, përfaqësuesit e shoqërisë civile, aktivistët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës të bashkëngjiten në Paradën e Krenarisë që kjo paradë të shërbejë që shoqëria jonë të jetë më tolerante, pranuese, të çmojë diversitetin në mënyrë që çdo person të ndjehet i\e lirë pavarësisht racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, gjuhës, fesë ose të tjera.
“Të jetë zëri jonë, zëri i të gjithëve!”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com