16 Shtator, 2022 - 2:23 pm
Me muzikë, shfaqje e ekspozitë, mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u bë hapja zyrtare e festivalit “Summer Cult”.
Ngjarja filloi me shfaqjen teatrore të dy aktoreve, Arbnore Nuha dhe Blerina Veseli të cilat shkëlqyen para publikut ndërsa vazhdoi me performancën e mrekullueshme muzikore nga Diellza Dedushi dhe Bulza Havolli.
Pjesëmarrësit po ashtu patën mundësi të shohin ekspozitën “Beyond Borders”, një ekspozitë kolektive e artistëve të rinj.
Në hapje të festivalit morën fjalën këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli dhe drejtoresha e festivalit, Elmaze Nura, ndërsa pjesëmarrës ishin regjisorë, aktorë, muzikantë, studentë e qytetarë.
Përgjatë dy ditëve në vazhdim artdashësit do të mund të shijojnë programin e “Summer Cult” i cili përmban ekspozita, punëtori, shfaqje filmash dhe afterparty.
Lokacionet ku po zhvillohen këto ngjarje janë Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fakulteti i Arteve dhe Kino Armata.
“Summer Cult” është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com