17 Gusht, 2020 - 4:18 pm
Pas shumë reagimesh, në pllakën përkujtimore është vendosur emri i Elizabeta Hasanit, 5-vjeçares rome që u vra bashkë me disa shqiptarë në masakrën e tregut të Mitrovicës, në vitin 1999.
Lajmin e bëri të ditur vetë Komuna e Mitrovicës.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë.
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, sot kanë bërë zbulimin e emrit të vogëlushes së ndjerë, Elizabeta Hasani nga komuniteti rom, emri i të cilës është vendosur në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së 13 marsit 1999 në tregun e Mitrovicës.
Pas vendosjes së luleve të freskëta nga kryetari Bahtiri, në shenjë nderimi për viktimat e rëna në atë masakër, ai tha se mos përfshirja e vogëlushes së ndjerë Elizabeta ka ndodh pa dashje dhe pa asnjë qëllim të keq, por vetëm si pasojë e mungesës së informacioneve.
Po ashtu kryetari Bahtiri theksoi se ka mbajtur premtimin e dhënë ndaj deputetit Kinolli për hulumtimin e duhur të këtij rasti, dhe pas marrjes së informacioneve të sakta, komuna ka vendosur emrin e Elizabetës në pllakën përkujtimore kushtuar viktimave të masakrës së tregut, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht nga kriminelët serbë.
Ndërkaq deputeti Albert Kinolli, tha se ndihet i kënaqur që bashkë me kryetarin Bahtiri dhe nënkryetarin Mujka, kanë mbajtur premtimin e dhënë për vendosjen e emrit të Elizabeta Hasanit, duke falënderuar për kontributin dhe angazhimin e dhënë nga ana e drejtuesve të Komunës së Mitrovicës.
“Kjo gjë dëshmon që shoqëria kosovare është e hapur dhe demokratike, nuk bën dallime as në viktima, sepse viktimat duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, për shkak se viktima nuk njeh racë, as ngjyrë, komunitet, e as parti politike. Dhe këtë sot e kemi dëshmuar së bashku me kryetarin Bahtiri, ku jam i lumtur që drejtësia ka ardhur në vendin e vet, shpresoj që edhe dorasin herë do kurdo të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, tha ndër të tjerash deputeti Kinolli. / KultPlus.com