9 Prill, 2020 - 3:56 pm
Masat e izolimit, lëvizjes dhe masat tjera të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë rezultuar edhe me rënie të qarkullimit rrugor dhe të aktiviteteve tjera ekonomike.
Kjo ka ndikuar që të ketë edhe rënie të ndotjes së ajrit për disa parametra e sidomos me parametra që ndërlidhen me transportin rrugor.
Të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), që vijnë nga sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit që menaxhohet nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tregojnë për ulje të përqendrimeve të disa ndotësve të ajrit, e në veçanti të përqendrimeve të dyoksidit të azotit (NO2) që kryesisht vije për shkak të zvogëlimit të trafikut dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme.
Të dhënat e IHMK nga stacionet e monitorimit, flasin për ulje të ndotjes në shkallë deri në 50% në disa zona urbane krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kështu për shembull nga këto matje është konstatuar se në Prishtinë në stacionin matës në IHMK përqendrimet mesatare të NO2 për muajin mars të këtij viti kanë qenë 18.3 µg/m3, krahasuar me 43.5 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit kaluar.
Ndërsa në stacionin matës tek ndërtesa Rilindja përqendrimet mesatare të NO2 për muajin mars të këtij viti kanë qenë 26 µg/m3, krahasuar me 47.8 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit kaluar.
Ulje të niveleve të përqendrimit të NO2 janë regjistruar edhe në zonat tjera urbane të Kosovës.
Kështu gjatë muajit mars të vitit 2020, nivelet mesatare të NO2 në Gjilan ishin 18.8 µg/m3, krahasuar me 35.2 µg/m3 të muajin mars të vitit kaluar, në Drenas 11.5 µg/m3 krahasuar me 16.7 µg/m3 të vitit të kaluar, në Han të Elezit 17 µg/m3, krahasuar me 61.3 µg/m3 nga marsi i vitit të kaluar dhe në Obiliq 22 µg/m3 krahasuar 24.2 µg/m3 me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ulje të koncentrimit janë regjistruar edhe për parametrat tjerë sikurse është PM2.5 dhe PM10 përqendrimi i të cilit në ajër është i ndërlidhur po ashtu me aktivitetet e transportit.
Duhet konstatuar se në këtë analizë nuk janë marrë parasysh parametrat meteorologjik për dy muajt për të cilët janë analizuar rezultatet e matjeve.
Për me shumë informata ju lutem vizitoni ueb faqen e AMMK (www.ammk-rks.net) ku mundë të gjeni edhe raportin e plotë mujor të muajit mars për vitin 2020. / KultPlus.com