11 Korrik, 2020 - 12:30 pm
Aktivistë të shoqërisë civile kanë zhvilluar një aksion simbolik përpara Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë në një vjetorin e vrasjes dhe përdhunimit të Kujtim Veselit, djalit 11 vjeçar nga Fushë Kosova.
Këta aktivistë gjithashtu kanë bërë lansimin e peticionit: Drejtësi për Kujtimin!
Në njoftimin për media thuhet se dështimi i parandalimit të këtij krimi është shkelje të të drejtave të njeriut dhe shpërfaqë qasjen raciste e diskriminuese të institucioneve të Kosovës.
Ata kanë bërë të ditur se do të lansojnë peticionin online me tri kërkesa:
Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit: kërkim falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit.
Nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit: inicimi i hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës.
Nga Qeveria e Kosovës: kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit.
Tutje bëhet e ditur se peticioni do të jetë online dhe do të jetë i hapur për nënshkrim për të gjithë nga data 11 korrik deri më 11 gusht 2020. Koha.net / KultPlus.com