Me premierën e dokumentarit ‘Kufiri i Kuq’, nis edicioni i shtatë i festivalit ‘Republika’

15 Shkurt, 2025 - 2:30 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në ambientet e “Kino Armata” në Prishtinë, u mbajt ceremonia hapëse e edicionit të shtatë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Republika”. Ky festival, tashmë i konsoliduar si një ngjarje e rëndësishme letrare në rajon, këtë vit mirëpret 17 poetë nga Ballkani dhe vende të tjera të botës, shkruan KultPlus.

Përgjatë tre ditëve të festivalit, programi do të ofrojë një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë promovime librash, shfaqje dokumentarësh, panele diskutimi mbi përkthimet dhe letërsinë, ekspozita, performanca muzikore dhe interpretim të poezive nga vetë poetët pjesëmarrës. Kjo përzierje e elementeve artistike e bën festivalin një hapësirë të gjallë dhe dinamike për artin dhe kulturën bashkëkohore.

Në ceremoninë hapëse të festivalit ‘Republika’, foli themeluesja e tij, poetja Vlora Ademi, e cila u shpreh falënderuesë ndaj të pranishmëve dhe atyre që ndihmuan në realizimin e festivalit.

“Ndihem mirë që festivalit ‘Republika’ i afrohen njerëz që e begatojnë edhe më shumë programin e saj. Sivjet ‘Republika’ do të zgjasë tre ditë. Dua të falënderoj dy bashkëpuntore të reja, shumë të zonja, producenten e dokumentarit ‘Kufiri i Kuq’, Blerina Gjoka dhe regjisoren Admirina Peçi’”, tha Ademi duke ftuar të pranishmit që ta përcjellin premierën e dokumentarit ‘Kufiri i Kuq’

I pranishëm në këtë hapje ishte edhe Agron Shehaj, drejtori i Kujto.al, një iniciativë kjo që rikthen në kujtesë periudhën e errët të vuajtjeve të shqiptarëve gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Sot jemi mbledhur për të kujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë sonë kombëtare, persekutimin e shqiptarëve të Kosovës nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nga ditët e para të pushtetit komunist, shndërroi Shqipërinë në një kurth vdekjeprurës për vëllezërit tanë nga Kosova. Masakra e Tivarit ku rreth 5000 shqiptarë të pafajshëm u masakruan barbarisht ishte vetëm fillimi i një kalvari të gjatë dhune dhe tradhëtie. Mijëra shqiptarë që i shpëtuan përsekutimit serb dhe kaluan kufirin në kërkim të sigurisë në atdheun e tyre, u kapën, u burgosën dhe u internuan nga regjimi komunist shqiptar. Faji i tyre i vetëm ishte se ishin shqiptarë të Kosovës dhe nuk pranonin që ta shihnin vendin e tyre të ndarë”, u shpre Shehaj i cili theksoi më tutje se dokumentari ‘Kufiri i Kuq’ i Admirina Peçit, do të sjellë dëshmi tronditëse të dhunës së pashembullt ndaj njerëzve të artit dhe të mendimit të cilët kërkuan vetëm strehim dhe siguri në Shqipëri, por u përballën me përsekutim.

Po ashtu, në ceremoninë hapëse të festivalit ‘Republika’, ishte edhe Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e British Council në Shqipëri dhe Kosovë.

“Për mua është një privilegj që së bashku me ju sonte të mirëpresim shfaqjen e këtij filmi, i cili duket që në titull që është jo vetëm emocionues, por edhe shumë domethënës. Një dëshmi e fuqishme për ndarjen 45-vjeçare të artit dhe letërsisë shqiptare, por edhe një homazh për shkrimtarët dhe artistët nga Kosova, që u ndaluan nga regjimi totalitar në Shqipëri”, theksoi Mazelliu.

Më pas, publiku i pranishëm, pati rastin që të ndjekë premierën e dokumentarit ‘Kufiri i Kuq’, një dëshmi e dhimbshme, që sjell në kujtesë vuajtjet e emrave të letërsisë e kulturës që u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës vetëm sepse ishin në kërkim të një sigurie në atdheun e tyre, në kërkim të së cilës ishin ata. Ky dokumentar, trajton në mënyrë kronologjike, historitë e personazheve të të dyja anëve të kufirit dhe gjendjen e rëndë, në Kosovë për shka të regjimit serb e në Shqipëri për shkak të regjimit komunist, duke ua bërë të mundur dy vendeve të të njëjtit atdhe që të kenë komunikim me njëri-tjetrin, në të kundrtën, persekutoheshin.

Pas shfaqjes së dokumentarit, pjesë e të cilit janë edhe rrëfime që janë dhënë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për KultPlus foli regjisorja, Admirina Peçi e cila u shpreh e lumtur që kjo premierë u dha fillimisht në Kosovë:

“Dokumentari përfshin një periudhë mjaft të gjatë kohore, nis nga viti 1945, pra periudha pas Luftës së Dytë Botërore, kur edhe u nda fati i shqiptarëve, për shkak të këtij kufiri që u vu mes shqiptarëve dhe Shqipëria u detyrua të jetonte e izoluar dhe shqiptarët jashtë Shqiprisë të jetonin një jetë tjetër, pavarësisht pse flisnin të njëjtën gjuhë dhe aderonin të njëjtat ide. Ky kufi kalohej herë pas here nga të dyja anët, shqipëtarët që guxonin të kalonin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, në kërkim të atij atdheu të idealizuar prej tyre, që nuk ezistonte realisht. Këto fate shqiptarësh trajton ky dokumentar, trajton po ashtu shumë mini-tema të tjera, histori personazhesh që kishin të bënin me kuluturën, letërsinë, artet e kësaj periudhe në Shqipëri dhe jashtë saj”, u shpreh Peçi për KultPlus.

Ndërkaq, festivali ‘Republika’ do të zgjasë deri nesër dhe përveç leximit të poezive do të ketë edhe promovime librash dhe ekspozita./KultPlus.com

Të ngjajshme