Me rastin e “Ditës së Çlirimit”, Komuna e Prishtinës shpall qytetar nderi gazetarin britanik Vaughan Smith

11 Qershor, 2022 - 11:30 am

“Dita e Çlirimit” të kryeqytetit është shënuar sot në Kuvendin Komunal të Prishtinës, me ç’rast gazetari britanik Vaughan Smith është shpallur qytetar nderi për pasqyrimin e luftës së Kosovës në vitin 1999, përmes punës së tij.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në seancën solemne tha se gazetari britanik Smith përmes punës së tij ka pasqyruar luftën e fundit në vend.

Ai gjatë këtij sesioni ka prezantuar edhe punën e gazetarit Smith përmes një video incizim.

“Ndër ata që kontribuuan drejt realizimit të ëndrrës tonë për liri ishin dhe shumë të huaj, e që i treguan botës me fjalë e me pamje për ato që po ndodhnin në Kosovë. Gazetar të dedikuar me punën e tyre të cilët bën që zëri ynë të dëgjohej e sakrifica jonë të shihej botërisht ”, ka thënë Rama duke paraqitur një xhirim të shkurtër të punës së gazetarit Smith.

Rama po ashtu tha se sot 23 vite më parë Prishtinës iu kthye shpresa, e shpërblimi i sakrificave shumë vjeçare për të drejtën më të shtrenjtë, lirinë.

“Jemi mbledhur në këtë seancë solemne ta shënojmë këtë ditë kaq të rëndësishme për kryeqytetin dhe mbarë vendin, ‘Ditën e Çlirimit të Prishtinës’. Si sot 23 vite më parë Prishtinës iu kthye shpresa, e shpërblimi i sakrificave shumë vjeçare për të drejtën më të shtrenjtë, lirinë. Kjo ditë shënon fundin e bombardimeve të NATO-s, rrjedhimisht fundin e luftës së Serbisë në vendin tonë. Në kujtesën tonë, kjo ditë ende mbetet ditë e shenjtë, sepse mijëra fëmijë, gra e burra mijëra familje kosovare sakrifikuan jetën për ëndrrën tonë të përbashkët…Fal tyre sot atë ëndërr e gëzojmë si realitet të lirë në vendin tonë. Fal tyre 11 qershori është bërë simbol i shpresës, i fitores së të mirës ndaj të keqes, është bërë fillimi i një kapitulli të ri, të cilin ende jemi duke e shkruar të gjithë së bashku”, tha Rama.

Ai po ashtu u shpreh se shumëçka ka ndryshuar për të mirë nga paslufta e deri më sot, por siç theksoi Rama “rruga është ende e gjatë”.

“Në këtë kapitull të ri është tash radha jonë që ta nderojmë veprën e atyre që sakrifikuan për liri, por jo vetëm me fjalë por dhe me vepra. Sot u përulemi ushtarëve të UCK-së, atyre që rezistuan për të parë Prishtinën të lirë, dëshmorëve dhe familjeve të tyre. U përulemi atyre që dhanë kontribut të pashoq, që hapën shtëpitë e tyre për shkolla, u përulemi atyre që u dëbuan dhe zgjodhën sërish Prishtinën…le ta kujtojmë 11 qershorin që të kujtojmë që misioni ynë që të punojmë për brezat që po vijnë për hir të sakrificës së tyre që sot nuk janë më në mesin tonë”, ka thënë Rama. /KultPlus.com

Të ngjajshme