16 Janar, 2022 - 9:30 pm
Nga Gjon Keka
Gjergj Kastrioti ishte njeriu më i madh i kohës së tij.Sikur që dihte botërisht i gjithë fokusi kur është folur për të mëdhenjtë është drejtuar tek dy figura ,tek ajo e Aleksandrit të Madh dhe Cezarit. Ata ishin heronjtë politikë të së kaluarës.Por,Gjergj Kastrioti ynë ishte në lidhje me këta personalitete të fuqishme po aq i madh,madje i ka tejkaluar ata në disa aspekte të qeverisjes dhe vlerave që kishte në veten e tij. Ai e njihte kohën e tij, i shfrytëzoi dobësitë e saj dhe sundoi mbi to. Kombin që ai udhëhoqi dhe skeptri i tij ishte po aq i butë dhe i dobishëm për të gjithë pa dallim.Për të ngritur shtetin e tij të Arbërit në lartësinë e tij të diellit ishte plani i tij.
Edhe pse pas vdekjes së tij pothuajse u shkatërruan gjërat e vjetra që ai kishte ndërtuar ose për të cilat ai i kishte hedhur themelet; kështu që vetëm sa dëshmon më shumë për lartësinë e tij në të cilën e la Arbërinë dhe se sa poshtë që nga vdekja e tij e deri më sot ka rënë ajo nga kufomat e gjalla që kanë mbetë,nga mbetjet,renegatët dhe pushtetarët e vëllazëruar me turq.
Në atë kohë, kur edukata dhe morali u mbulua me terrë, ai ishte një yll i të mëdhenjve të parë në Gadishullin Ilirk dhe kontinentin Europian. I gjithë mbretërimi i tij ishte një epokë e lumtur për Arbërinë ,Europën dhe Njerëzimin.
Ai vdiq dhe kështu perëndoi dielli përgjithmonë për Arbërinë duke mbetë në terrin otoman deri më sot.Gjergj Kastrioti zotëronte talent të madh politik, diplomatik dhe ushtarak. Standardi politik që ai aplikoi në kohën e tij ishte i thjeshtë dhe pikërisht për këtë arsye ishte më i përshtatshmi.Ndarjen katastrofike të të mëdhenjve ai e kundërshtoi me dinakërinë dhe forcën e karakterit.Një pasojë e hekurt në ekzekutimin e planeve të tij politike ishte cilësia e tij e gjithanshme. Jo të gjithë menjëherë ai mund të përballej me armiqtë e tij së bashku.
Por,ai i mundi ata veç e veç, me strategjinë e tij, që kurrë mos t’i lënte hapësirë që dy apo më shumë armiq të tij ta sulmonin në të njëjtën kohë.Kudo,si në Arbëri, ashtu edhe në Itali e kudo ku ai shkonte me qindra e mijëra janë parë sipas kronistëve duke tundur kokën para madhështisë së tij, para shkëlqimit të dritës së këtij mbreti e udhëheqësi të papërsëritshëm të kombit tonë arbëror europian.
Ai promovoi tregtinë dhe ndryshimin.Sidomos me vendet tjera si Raguzën, Hungarinë Venedikun,Romën etj. Kombet që ishin më larg njëri-tjetrit ishin bërë miq sikur që ishte rasti i miqësisë së tij me Mbretin e Napolit.Fama e tij u përhap në të gjithë botën. Princat më të largët donin që të luftonin nën flamurin e tij, donin të ishin miq dhe aleatë të tij. Ai u kap pas atdheut të tij e jo pas karriges, ai i dha Arbërisë ,identitet,paqe,begati dhe famë.
Papët vraponin pas tij dhe jo ai pas papëve.Feja katoliko-romake gjeti tek ai një mbështetje të dukshme.Ata e panë se ai ishte i vetmi që bashkë me Arbërorët e tij u bënë mburojë për civilizimin e përbashkët europian.Nga ana tjetër, disa nga papët e kohës së tij ishin mirënjohës,por jo edhe disa papë e perandor ,princa të tjerë që e shikon më shumë karrigen papale,mbretrore, e princërore dhe interesat e tyre egoiste se sa mbështetjen e tij në kohën më të vështirë që ai u gjend sidomos në fund të vitit 1467.
Vërtetë, ai ka rrëzuar sulltana,tartara,perandor e ushtarë të armikut dhe i ka dërguar ata që të vdisnin në inatin e tyre; por,për nga natyra e tij ai ishte një njeri që e donte më shumë lirinë,paqen dhe lumturinë e popullit të tij se sa çdo gjë tjetër ,prandaj,ai nuk lejonte që armiqtë kushdo qoftë ata t’ia shkatërronin atdheut të tij ato që populli i mbanë në gjoksin e tij si vlera të tij të natyrshme.
Gjergj Kastrioti ishte në çdo aspekt për kombin e tij pa dallim një gjeni që dha fryte të mëdha.Ai,thuhet se fliste nëntë gjuhë të ndryshme të kohës.Me një fjalë, ai ishte njeriu kryesor i popullit dhe kohës së tij në çështjet politike, ushtarake dhe diplomatike.
Çfarë brezi mund të kishte mbirë nga gjaku i këtij njeriu të madh i cili në fakt e zhvilloi një karakter po aq gjigant në botën e vogël si në botën e madhe të tij.Prandaj duke parë që nga gjaku i tij nuk ka mbetë asnjë ,e as nga kombi nga i cili doli që t’i ngjajë atij dhe botës së tij të madhe të brendshme e të jashtme ,ai tani qëndron mbi historinë; sepse ai është një flijim për kombin e tij, Europën në përgjithësi dhe të mirën e përbashkët ,dhe të ardhmen e ndritur të popullit të tij. Arbëria e tij dhe ai, si të thuash, u bënë si një mur mbrojtës kundër otomanëve pushtues.
Sikur që dihet me rikthimin e tij në Arbëri populli vetë e uli në fronin mbretëror e thirri si mbret të tyre.Prandaj, ai e dinte se një mbret i ri në një vend që ishte i ndarë në principata vendase nuk e bënë shumë të sigurt fronin dhe as nuk do të kishte rezultate lufta kundër armikut otoman(turk) ,pa një bashkim të të gjithë fisnorëve të vendit.
Zëri i popullit ishte që ai të printe në gjithçka,sepse ai ishte i duhur për kohën dhe vendin,prandaj edhe u zgjodhë në krye të të gjithë principatave të vendit i bashkoi ato në Kuvendin e Lezhës(2.Mars 1444) dhe fitoret ishin pjesë e Betejave përpara tyre kundër armikut të tyre otoman.Politika e tij në brendësi të atdheut tonë ishte kështu e lehtë për t’u vlerësuar,sepse flinsin më shumë veprat se fjalët.
Me bashkimin e principatave ai e dëshmoi veten se ishte një udhëheqës sikur t’ia kishte zbritur qielli për të mirën e përbashkët të vendit dhe qytetarëve të tij arbëror pa dallim.Ky ishte qëllimi i tij që përpos bashkimit që bëri ,ai nuk ndërhyri në popull e as në principatat në asgjë tjetër si p.sh. karakteri i tij, ligjet dhe sjelljet e mira të popullit arbëror.Prandaj, ai i la ato të paprekura,sepse ishin e pjesë e natyrshme e vetë popullit arbëror.Por,ai punoi në fusha tjera që e bënë Arbërinë të fuqishme politikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht.Edhe pse në forca të pakta ai me to e bëri Arbërinë të mbante stafetën e fitores në Europën e asaj kohe.
Nga dita që ai shkeli në atdheun e tij ,nga ai moment i parë, interesimi për atdheun, nuk u harrua kurrë nga ai.Ai në veten e tij ,në brendësi të tij ishte një njeri i lirë, me ide të thella iluministe e humaniste dhe vizionar që e shihte atdheun e tij nga e kaluara me syrin drejt të ardhmes duke punuar me djersë dhe llambën me dritë në dorë për Arbërinë e tij.Kjo është një dëshmi e qartë se ai donte të punonte me gjithë energjinë e tij dhe dijen e tij,për kombin e tij.
Gjergj Kastrioti si një komandant i madh për kohën e tij e krijoi ushtrinë e fuqishme arbëror me të gjitha kapacitetet,gradat ushtarake, pozita tjera brenda hierarkisë së ushtrisë.
Kështu p.sh. grada e luftëtarit në ushtri, lloji i armës me të cilën ishte i armatosur dhe cilësia e detyrave të tij vareshin nga shkalla e komandës së tij. Mbështetja e ndërsjellë në pajisjen dhe sigurimin e tyre u bë e detyrueshme si për ata që ishin në pozita të ulët ashtu edhe për ata me pozita më të larta.Në ushtrinë e tij nuk kishte cili mbanë atë pozitë apo këtë,aty ishin të gjithë të barbartë dhe të respektuar.Madje sikur që thuhet Gjergj Kastrioti si komandant i tyre i njihte të gjithë me emra dhe fytyra të gjithë ushtarët e tij.
Me pakë fjalë ai jetoi, veproi dhe dha djersën e gjakun, dhe dijen e tij për të mirën e Arbërisë për lirinë,paqen dhe pavarësinë e saj deri në vdekje.Kështu më 17.Janar 1468 vdiq nga ethet e egëra të cilat e kishin kapluar pas rikthimit të tij nga Roma dhe të cilat e mbajtën për disa ditë në shtratë ,në fakt deri në atë ditë kur edhe vdiq. Edhe nga shtrati ai korrte fitore, emri ,fryma e tij ,shpirti i tij heroik ishte ai që i printe ushtrisë arbërore. Kështu ai vdiq në Lezhë, aty ku edhe e bashkoi Arbërinë dhe popullin për të mirën e përbashkët në luftën kundër pushtuesit otoman(turk).
Nga dhimbja e madhe për këtë humbje të madhe për Arbërinë princi arbëror Lekë Dukagjini doli në rrugë dhe i mbuluar nga lotët e dhimbjes së shpirti bërtiste ,gjamonte sipas traditës së vjetër duke nxjerrë këto fjalë: “Ejani këtu o qytetarë, e princa fisnikë arbëror! Mbrojeni veten! Sepse,sot muret e Arbërisë janë bërë pluhur, u tretë e tërë forca e jonë,u varrosën fuqia dhe shpresa jonë,froni i mbretërisë është përmbysur me vdekjen e këtij njeriu”.
Ndërkaq trupi i tij u ekspozua sipas traditave dhe u varros në Kishën e Shën Kolit.Në varrimin e tij ishte i gjithë populli ,të gjithë qytetarët derdhnin lot e me dhimbje të thellë e përcollën trupin e tij në varrin prej nga ai do t’i frymëzonte rilindasit dhe neve deri më sot. Varri i tij u bë vend i pelegrinazhit për arbërorët që i mbetën besnik idelit të tij dhe gjakut të tij të pastër iliro-arbëror europian./ KultPlus.com