Me sloganin “Edhe n’shtet, edhe n’shpi” do të shënohet edicioni i gjashtë i Javës së Krenarisë

26 Maj, 2022 - 2:06 pm

Edicioni i gjashtë i Javës së Krenarisë do të vijë me sloganin “Edhe n’shtet, edhe n’shpi”, dhe sipas organizatorëve “Prishtina Pride” ky edicion do të mbahet nga 6 deri më 9 qershor.

Ky edicion do të shënohet  përmes diskutimeve, ekspozitave artistike, aksioneve rrugore, festave e protestave, do të bëhen bashkë personat queer dhe aleatët.

Sipas organizatorëve, slogani pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, edhe në familje.

“Në një vend ku shoqëria dhe familja në thelb janë heteronormative dhe patriarkale, është detyrë e shtetit që të krijojë siguri për personat të cilët nuk ndihen të sigurt nga mendësia shtypëse e cila prodhohet nga këto dy institucione. Partitë politike, qeveria dhe presidenca në anën tjetër nuk i kanë prioritet të drejtat LGBTIQ+, përkundrazi personat queer përdoren nga ta për të arritur në pushtet. Në njërën anë tregohen progresiv në tryeza të mbyllura me ndërkombëtarë e shoqëri civile, në anën tjetër tentojnë t’i largohen sa më shumë temave të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në fushata e komunikim me votuesit.

Këtë vit, Parada e Krenarisë, përveç festimit, duhet të konsiderohet si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+”, thuhet në njoftim të organizatorëve.

Organizatorët kanë thënë se në këto ditë do të festohet për praninë e tyre e fuqizimin e atyre që ende po e pranojnë veten.

“Do të festojmë për rezistencën që e kemi në baza ditore pa përkrahje të shtetit dhe familjes, do të jemi zëri për të gjithë që nuk kanë siguri dhe jetojnë në dhunë emocionale, mendore dhe fizike. Do të festojmë për familjet që na kanë pranuar dhe ato që i kemi zgjedh, do të protestojmë kundër familjeve që shtypin fëmijët e tyre. Do të festojmë për dashninë që e kemi, do të protestojmë për njohjen ligjore të kësaj dashnie. Bashkë do të festojmë që ekzistojmë dhe i japim botës ngjyra, bashkë do të vazhdojmë të ecim drejt një bote ku jemi të barabartë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Të ngjajshme