6 Prill, 2021 - 12:06 pm
Takimin e parë zyrtar si presidente e Kosovës, Vjosa Osmani e ka zhvilluar me xhudistët e Kosovës. Në kabinetin e saj, ajo ka pritur xhudistët kampionë të Kosovës, në krye me trajnerin Driton Kuka.
Kryetarja e shtetit është shprehur e bindur se sukseset e xhudistëve nuk do të mungojnë.
Presidentja Osmani ka thënë se xhudistët të cilat i sollën Kosovës shumë medalje nga vendet e ndryshme të botës, janë ambasadorët më të mirë të shtetit të Kosovës.
“Për mua ka qenë shumë me rëndësi si presidente e sapozgjedhur e vendit që takimin e parë ta mbajë me ata që kanë qenë ambasadorët më të mirë dhe më të suksesshëm të shtetit tonë në kohën kur edhe politika ka dështuar, edhe diplomacia ka dështuar, kanë qenë Majlinda, Nora dhe Distria dhe xhudistet e tjera që bashkë me trajnerët që na kanë bërë zemrën mal por mbi te gjitha e kanë nderuar shtetin tinë, e kanë lartësuar flamurin e Republikës së Kosovës dhe e kanë nderuar shtetin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme madje edhe në shtet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ajo.
Osmani tha se shteti duhet t’i përkrah xhudistët në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Jam e bindur qe sukseset e tyre nuk do të mungojnë por është e domosdoshme që shteti të qëndrojë pranë tyre, t’i përkrah në mënyrën më të mirë të mundshme, e mbi të gjitha ta shohim qe flamuri ynë të valojë lart e më artë nëpërmjet futoreve e sukseseve të tyre të njëpasnjëshme”, tha Osmani.
Ndërsa kampionia e shumëfishtë e xhudos, Majlinda Kelmendi tha se shpreson që Osmani si presidente të jetë aty ku njerëzit kanë nevojë.
“Unë vetëm kisha dashtë me ju urua mbarësi në punë dhe sukses, po shpresoj dhe besoj shumë qe keni me qenë aty ku njerëzit kanë nevojë dhe kur për ju. Po shpresoj shumë qe keni me qenë bashkë me ne në lojëra olimpike, jemi gjithsej pesë garuese dhe po besoj shumë të paktën një ose dy medalje t’i marrim dhe të jeni pjesë e suksesit tonë”, tha Kelmendi.
Presidentja e Kosovës ka thanë se përmes xhudistëve shteti i Kosovës ka bërë histori. / KultPlus.com