Me temën ‘To the lighthouse’, shënohet hapja e festivalit ‘Polip’

13 Maj, 2023 - 9:01 pm

Mbrëmë, në Teatrin ‘Oda’ në Prishtinë, shkrimtarë, poetë e dashamirë të letërsisë ishin mbledhur për të shënuar hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë ‘Polip’, i cili këtë vit vjen me temën ‘To the Lighthouse’, shkruan KultPlus.

Këtë vit, festivali feston edicionin e vet të 13-të dhe në të njejtën kohë të fundit sipas këtij formati. Përgjatë këtyre viteve, skena e festivalit ka mirëpritur qindra autorë nga e gjithë bota për të lexuar e diskutuar për tema të rëndësishme për shoqëri e kontekste të ndryshme socio-politike. Por mbi të gjitha, ka krijuar një ambient miqësor të shkëmbimit, shumëllojshmërisë e respektit të ndërsjellë.

Në natën hapëse të këtij festivali, i pari e mori fjalën bashkëthemelusi i festivalit dhe drejtori i qendrës ‘Multimedia’, Jeton Neziraj, i cili së pari i falënderoi pjesëmarrësit për prezencën u shpreh se ky është edhe edicioni i fundit që do të mbahet në Prishtinë.

“Edicioni i radhës i Polip Festival nuk do të mbahet në Prishtinë por do të mbahet në Braunschëeig  të Gjermanisë, në mars të vitit 2024”, tha neziraj.

E më pas, fjalën e mori shkrimtarja kroate Alida Bremer, e cila e krahason festivalin ‘Polip’, si një oktapod e që sipas saj ëstë një kafshë tejet inteligjente.

“Ne kemi pasur të bëjmë me fjalë, ligjërata dhe gjuhë këtu në për shumë vite. Këtu në këtë festival e kemi tentuar të bëjmë kombinimin e bukurive të letërsisë me një mendim të kthjellët”, u shpreh Bremer, e cila tha se Polip ka krijuar një diskurs dhe dialog pa kufij.

Ndërkaq, bashkëorganizatori nga Serbia, Sasha Illiq, tha se ky edicion i ‘Polip Festival’ do të jetë një edicion shumë special.

“Është një kënaqësi e veçantë të jem këtu para jush në këtë edicion të festivalit ‘Polip’. Në  këtë edicion kemi diçka shumë speciale për ju, shfaqje, argëtim, poezi e të tjera”, tha ai.

Më pas mbrëmja ishte destinuar për poetët dhe shkrimtarët Ledia Dushi, Arian Leka, Eleana Zhako, Adrian Kasnitz, Vladimir Arsenijeviq, Milosh Zhivanoviq dhe Tanja Sljivar të cilët lexuan para publikut poezitë e tyre.

Ndërkaq, ju kujtojmë që Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë ‘Polip’, organizohet çdo vit në Prishtinë. Është themeluar dhe drejtuar nga Qendra Multimedia, një kompani e prodhimit kulturor me seli në Prishtinë. Edicionet e fundit të polip janë organizuar së bashku me Beton, një organizatë kulturore me qendër në Beograd.

‘Polip’ është një festival ndërkombëtar i letërsisë që bashkon në Prishtinë shkrimtarë të rinj nga rajoni dhe nga Evropa. polip shkon përtej kornizës së një festivali letrar dhe të një lidhjeje të thjeshtë letrare. Bëhet fjalë për një kuptim më të gjerë të koncepteve të ndërtimit të paqes dhe besimit në një rajon dhe shoqëri veçanërisht të traumatizuar që ranë dakord të jetonin veçmas dhe të shëronin traumat e tyre pa një përpjekje për të elaboruar të kaluarën traumatike dhe pa ndjeshmëri për tjetrin./ KultPlus.com

Të ngjajshme