Me titull ‘Nga Zejtaria’, lansohen pullat e reja postare

10 Dhjetor, 2021 - 11:20 am

Filatelia e Postës së Kosovës, nga sot lëshoi në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Nga zejtaria”, me pamjet e të cilave prezantohet artizanati ynë popullor i krijuar në kohërat e vjetra në fushën e zejtarisë në vendin tonë.

Në qytetet e Kosovës janë zhvilluar zejet për përpunimin e lëndëve të para nga bujqësia (leshi, lëkura, mëndafshi, pambuku), pylltaria (druri), xehetaria (përpunimi i metaleve dhe jometaleve), etj.

“Posta e Kosovës, do të kujdeset në vazhdimësi që përmes imazheve të pullave postare të promovojë shtetin e Kosovës në mbarë botën, si dhe të afirmojë vlerat artistike të popullit tonë që i ka krijuar me mundin dhe sakrificën e tij ndër shekuj”, thuhet në njoftim.

Veprimtaria e zejeve në Kosovë zhvillohej e ndarë sipas regjioneve, sipas përkatësive kombëtare dhe fetare, ndërsa në qytete si Vushtrri, Prizren, Prishtinë, Gjakovë e Pejë, etj., ndarja bëhej sipas llojit të zanatit në rrugë të caktuara apo pjesë të qytetit.

Nga zejet e vjetra dallojmë; terzitë, saraçët, zhgun punuesit, qeleshepunuesit, punuesit e mëndafshit, qilimave, zdrukthëtarët, samarpunuesit, bukëpjekësit, ëmbëltorët, farkëtarët, mbathtarët, qerrepunuesit, kazanpunuesit, stufë punuesit, kallaj punuesit, armëpunuesit, berberët, etj.

Përveç tjerash, në tregjet e Ballkanit dhe të Evropës shqiptarët njiheshin për prodhimin e qilimave dhe zbukurimin e armëve. /KultPlus.com

Të ngjajshme