Me valle e muzikë, festohet 12 vjetori i pavarësisë në sheshin e Prishtinës

17 Shkurt, 2020 - 5:07 pm

Kosova sot shënoi 12 vjetorin e pavarësisë, KultPlus ishte në sheshin e Prishtinës për të parë nga afër dhe për të intervistuar qytetarët të cilët të lumtur festonin këtë 12 vjetor.

“Ma me rëndësi se Kosova për popullin tonë nuk ka, Kosova është jeta jonë”, ishin fjalët e bacës Abdyl, i cili me lotë në sy e me një qese në dorë, ishte nisur nga Ribari i Madh, Goleshi, për të mbërritur në kohë e për ta festuar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Ai kishte ndërruar disa taksi, e kombi për të arritur në Prishtinë dhe për ta përjetuar edhe njëherë lumturinë që e kishte përjetuar edhe para 12 viteve.

“Po vetëm një shtet e kemi! Ju nuk e dini se çfarë kemi hequr ne nga serbët, edhe fëmijët m’i kanë marrë, e si të mos e festojmë këtë ditë të madhe”, ishte shprehur Abdyl Rama.

Ai edhe vitin e kaluar kishte ardhur nga Sarajeva për ta festuar, por tashmë ky vit ishte më ndryshe për të, me qeverinë e re ai shpreson për më të mirën e këtij vendi.

“Do të bëhet mirë për juve, rininë e Kosovës, ju jeni ardhmëria jonë”, u shpreh ai.

E me fytyrë të ngallëzyer, niset për në sheshet e Prishtinës, për të festuar deri në mbrëmje 12-vjetorin e Kosovës.

Nderkaq,  në  sheshet e Prishtinës mbretëronte atmosferë  e madhe festive. Dielli i fortë  rrezonte  mbi fytyrat e lumtura të  qytetarëve të  Kosovës,  zhurma e daulleve degjohej anë e kënd, e flamujt valviteshin mbi qiellin e kaltër, ndërsa vallja kosovare nuk mungonte në  asnjë  cep.

KultPlus kishte ndalur edhe një  qytetar tjetër, Hajdin Hysenin. Me entuziazëm e me një  flamur të  vogël në dorë , ai shihej duke u nisur drejt atmosferës në  sheshin “Zahir Pajaziti”.  Hajdini u shpreh se ky vit e ka gjetur më të lumtur  Kosovën.

“Qeveria e re do të  ndryshojë  Kosovën sepse  së  pari i kanë  vendos  më  shumë  flamujt e Kosovës! Tash jemi të  gëzushëm,  jemi shumë  mirë  dhe do të  bëhet edhe më  mirë ” – thotë  qytetari Hyseni.

E ky 12 vjetor i pavarësisë  së  Kosovës,  si duket po ua mbush shpirtërat me gëzim të  gjithëve që luftuan ta shohin në këtë ditë Kosovën e tyre. / KultPlus.com

Të ngjajshme