19 Prill, 2020 - 11:50 pm
“Asnjëherë nuk kemi përjetuar ditë më të zeza”, thekson Souzan, një nënë 50 vjeçe e dy fëmijëve.
Duke folur me telefon nga shtëpia në qytetin e saj të vogël në periferi të Bejrutit, kryeqytet i Libanit, pothuajse një muaj pas masave radikale qeveritare për mbrojtje të Libanit nga pandemia, Souzan ka përmbledhur gjendjen e saj dhe të mijëra libanezëve me një fjali të vetme.
“Është më keq se në luftë”, ka deklaruar ajo për “Al-Jazeeran”.
Gjashtë muajt e fundit janë përshkruar me vështirësi të papara në Liban. Madje shumëkush mendon se vendi po përjeton kohë edhe më të vështirë se gjatë pesëmbëdhjetë viteve të luftës civile, e cila përfundoi më 1990, raporton KOHA.
Dekadat me korrupsion dhe keqmenaxhim të vendit të drejtuar prej ish-komandantëve të luftës të kthyer në politikanë dhe prej një rrjeti biznesi të dominuar nga elita e korruptuar, ekonomia libaneze po përballet me një krizë të paparë në mbamendjen kolektive. Edhe lufta në Sirinë fqinje e ka bërë të veten.
Dhe në kuadër të masave për frenimin e përhapjes së virusit korona, Qeveria libaneze ka shtrënguar qytetarët që të mos merren me aktivitete ekonomike, kritike për jetën e tyre, sidomos për ata që jetojnë me të hyra të ulëta. Dhe Souzan – e cila i ka kërkuar “Al-Jazeeras” të mos ia publikoi edhe mbiemrin – është detyruar për herë të parë të kërkojë ndihmë për të mbajtur familjen.
Organizaa “Human Rights Watch” kishte paralajmëruar në fillimmuaj se nëse nuk do të kishte program të ri qeveritar të ndihmës, miliona libanezë mund të vuajnë urie. Libani është një vend prej gjashtë milionë banorësh, prej të cilëve më shumë se 1.5 milionë refugjatë sirianë dhe palestinezë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia libaneze do të pësojë tkurrje prej dymbëdhjetë për qind sivjet sherri i virusit korona.