Media australiane “Escape”: Udhëtim në Rivierën Shqiptare verbuese, qytetet e lashta dhe peizazhet spektakolare

17 Tetor, 2024 - 9:02 am

Me Rivierën e saj verbuese, qytetet e lashta dhe peizazhet spektakolare malore, nuk është çudi që ky vend ballkanik shumë shpejt po shndërrohet në një destinacion i preferuar turistik në Evropë, shkruan Dilvin Yasa në një artikull të botuar në revistën australiane “Escape”.

E vendosur në bregdetin e Adriatikut midis Kroacisë dhe Greqisë, Shqipëria ka një kulturë dhe histori magjepsëse dhe një bukuri natyrore të pacënuar.

Po mendoni të vizitoni Shqipërinë? Më poshtë kemi renditur disa rekomandime përpara se të nisni udhëtimin tuaj:

Monedha zyrtare mund të jetë leku shqiptar, por euro pranohet kudo.

Pavarësisht rritjes së turizmit, Shqipëria vazhdon të ketë çmime të përballueshme. Një vakt mishi për dy persona, duke përfshirë birrat, kushton 30 dollarë; një kafe rreth 1,50 dollarë; dhe 1 byrek 1 dollarë.

Shqiptarët janë të ngrohtë dhe mikpritës. Vendi mesdhetar është një destinacion i sigurt – dhe vendasit miqësorë bëjnë gjithçka për t’ju bërë të ndiheni i mirëpritur.

Ata kanë gjithë kohën e botës për të biseduar me ju, gjithashtu pa pritur asgjë në këmbim.

Gjatë vizitës tuaj në Shqipëri, provoni ushqimet si byrek, speca të mbushur, gjethe hardhie të mbushura me oriz, qofte apo spageti me mish të grirë.

Nëse nuk porosisni pjata tradicionale si qengji i pjekur – ju mund të zgjidhni midis të njëjtave pjata në çdo restorant, çdo ditë.

Ushqimin meksikan ose tajlandez, mund ta gjeni vetëm në Tiranë.

Ju do të gjeni një ëmbëlsirë specifike për çdo rajon që vizitoni – Kabuni – mish i qengjit i gatuar me oriz, rrush të thatë dhe kanellë, në Krujë dhe Oshaf – qumësht dele, puding fiku dhe kanellë, në Gjirokastër.

Puding orizi, veçanërisht në restorantin “Era” të Tiranës është i shkëlqyer dhe gjerësisht i disponueshëm kudo.

Qytetet e Shqipërisë janë kompakte përfshirë Tiranën dhe lehtësisht të kalueshme. Vishni këpucët tuaja më të rehatshme për ecje dhe vizitoni pikat turistike të vendit.

Ju rekomandojmë të vizitoni Shqipërinë pasi të ketë mbaruar piku i sezonit veror. Sigurohuni që aventura juaj shqiptare të përfundojë në fund të shtatorit.

Vizitoni vendin e bukur mesdhetar në tetor dhe do të zbuloni qytete kryesisht të qeta turistike pa turma njerëzish./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme