10 Prill, 2023 - 12:19 pm
Shumë prej fytyrave publike, politike si dhe mediave përdorin “Twitter” si një platformë komunikimi me opinionin publik. Sipas statistikave të Twitter, 83% e njërëzve postojnë aty për lajme, përderisa 85% e përdoruesve shikojnë, lexojnë, apo dëgjojnë lajmet në Twitter një herë në ditë.
Por, kohëve të fundit platforma sociale Twitter, ka filluar të implementoj një veprim ndryshe për mediat. Në llogaritë e mediave më të mëdha, ata kanë filluar të bashkangjesin një përshkrim mbi politikat editorale të mediave. Një etiketim të tillë i’a dhanë edhe BBC-së si ndër organizatat mediatike më të mëdha në botë.
Në llogarinë kryesore të BBC-së në Twitter e cila ka 2.2 milionë ndjekës, etiketa lidhet më një faqe që të drejton tek përshkrimi “MEDIA E LIDHUR ME SHTETIN”. Me këtë term, ata lënë të nënkuptojnë se është një media ku qeveria ushtron kontroll mbi përmbajtjen editoriale në mënyra të ndryshme.
Pasi etiketimit të tillë, BBC ka kontaktuar Twitter dhe ka reaguar po ashtu me një postim duke ritheksuar se ata nuk financohen nga shteti i cili rrjedhimisht nuk ndikon në politikën editoriale të tyre.
“BBC është dhe ka qenë gjithmonë e pavarur. Ne financohemi nga publiku britanik përmes tarifës së licencës”, shkroi në postim BBC.
Që nga viti 1927, BBC ka operuar përmes një Karte Mbretërore të rënë dakord me qeverinë që thotë se korporata “duhet të jetë e pavarur”, veçanërisht mbi “vendimet editoriale dhe krijuese, kohën dhe mënyrën në të cilën ofrohet prodhimi dhe shërbimet e saj, dhe në menaxhim të punëve të saj”.
Britanikët paguajnë një tarifë licence prej 159£ çdo vit për të financuar prodhimin e korporatës. Tarifa caktohet nga qeveria, por paguhet nga familjet individuale.
Nga ana tjetër, një reagim për këtë çështje ka dhënë edhe Elon Musk, pronari i platformës Twitter. Musk e ka përshkruar BBC-në si ndër organizatat mediatike më pak të njëanshme, pasi transmetuesi kundërshtoi të etiketohej si “media e financuar nga qeveria”.
“Unë mendoj se organizatat mediatike duhet të jenë të vetëdijshme dhe të mos pretendojnë në mënyrë të rreme mungesën e plotë të njëanshmërisë. Të gjitha organizatat kanë paragjykime, disa padyshim shumë më tepër se të tjerat. Duhet të theksoj se ndjek lajmet e BBC në Twitter, sepse mendoj se janë ndër më pak të njëanshmit”, deklaroi Musk.
Tutje, ai tha se me këto etiketime Twitter po synon transparencën dhe saktësinë maksimale në lidhje me pronësinë e mediave dhe burimin e fondeve.
Përveç BBC-së, Twitter gjithashtu caktoi Radion Publike Kombëtare të Amerikës (NPR) si “media e lidhur me shtetin”, duke përfshirë RT të Rusisë dhe Xinhua News të Kinës. Përshkrimi më vonë u ndryshua në të njëjtin etiketë “media e financuar nga qeveria” që tani aplikohet në llogarinë @BBC.
NPR – e cila merr disa para nga institucionet publike, por financimi i së cilës vjen kryesisht nga burime të tilla si sponsorizimet e korporatave dhe tarifat e anëtarësimit – ka paralajmëruar se do të ndalon postimet në Twitter nëse etiketimi nuk ndryshohet. / Express / KultPlus.com