5 Prill, 2021 - 1:47 pm
Presidentja e re ka bërë thirrje për një dialog me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve. Por, ajo ka kërkuar që qeveria në Beograd së pari të kërkojë falje dhe të padisë ata që janë përgjegjës për luftën 1998/99″
Zgjedhja e presidentes së re të Kosovës është mbuluar në mënyrë të konsiderueshme nga mediat në gjuhën gjermane. Krahas lajmeve nga agjencitë, disa nga gazetat dhe mediat tjera, kësaj ngjarjeje i kanë kushtuar edhe komente dhe analiza redaktoriale.
Kështu, transmetuesi publik i Zvicrës SRF, krahas përshkrimit të rrjedhës së zgjedhjes merret edhe me deklaratën e presidentes së re, të bërë menjëherë pas zgjedhjes.
“Pas zgjedhjes së saj, politikania, e cila veç tjerash është shkolluar edhe në SHBA, bëri thirrje për një dialog me Serbinë për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve. Por, ajo ka kërkuar që qeveria në Beograd së pari të kërkojë falje dhe të padisë ata që janë përgjegjës për luftën 1998/99”, shkruan srf.ch, transmeton KultPlus.
Srf merret edhe me kritikat brenda në parlament. “Disa parti të opozitës kanë kritikuar zgjedhjen e Osmanit dhe janë shprehur se në një demokraci të brishtë si ajo kosovare nuk është mirë që presidenti, kryeministri dhe kryeparlamentari të vijnë nga një parti. Sidoqoftë, Osmani nuk është anëtare e Vetëvendosjes, por ishte pjesë e listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e mbajtura në shkurt”.
“Në një përpjekje të përsëritur, juristja e popullarizuar, Vjosa Osmani është zgjedhur të dielën Presidente e Kosovës. Zgjedhjet kishin dështuar një ditë më parë, të shtunën, për shkak të bojkotit të opozitës”, shkruan “Der Spiegel”, transmeton tutje KultPlus.
Juristja 38-vjeçare u zgjodh kryetare e shtetit nga parlamenti me sugjerimin e partisë qeverisëse të Kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosje. Ajo mori 71 vota duke arritur kështu shumicën në parlamentin me 120 vende. 82 deputetë ishin të pranishëm, 11 vota dolën të pavlefshme.
Të shtunën, zgjedhjet kishin dështuar për shkak të bojkotit të opozitës dhe pakicës serbe; nëse ato do të dështonin përsëri, do të Kosova duhej të shkonte përsëri në zgjedhje të parakohshme.
Posti i presidentit u shpall i lirë në nëntor të vitit 2020 pasi kreu i shtetit Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqjen pas akuzës së ngritur ndaj tij nga Tribunali Special i Kosovës.
Pas dorëheqjes së Thaçit, Osmani mori detyrën e tij përkohësisht në cilësinë e kryetares së parlamentit në atë kohë.
Presidentja e re, Vjosa Osmani, ishte nënkryetare e partisë e cila në atë kohë në pushtet dhe tani në opozitë, LDK (parti konservatore liberale, siç e quan “Der Spiegel”) deri në qershor 2020. Pastaj ajo u përjashtua pas një mosmarrëveshjeje brenda partisë së saj.
Në zgjedhjet parlamentare në shkurt të këtij viti, ajo hyri në listën e partisë së majtë të reformës së Kurtit.
Ndërsa gazeta austriake, “Kurrier”, pasi përshkruan rrjedhën e votimit në Parlamentin e Kosovës, jep një biografi të shkurtër të presidentes së re.
“Osmani (38, e lindur më 17 maj 1982) kishte shërbyer si Ushtruese e Detyrës së Presidentit të Kosovës që nga fillimi i nëntorit, kur kryetari i tanishëm Hashim Thaçi kishte dhënë dorëheqjen me akuzat e krimeve të luftës. Dy javë më parë kjo detyrë u mor nga Presidenti i ri i Parlamentit, Glauk Konjufca.
Doktoresha e drejtësisë ka filluar karrierën e saj politike në vitin 2006 në kabinetin e Presidentit të atëhershëm Kosovar, Fatmir Sejdiu. Midis viteve 2008 dhe 2010 ajo ishte anëtare e ekipit kosovar që përfaqësonte shtetin më të ri në Evropë në procedurat para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pyetja që shtrohej aty ishte nëse Kosova kishte të drejtë të shpallte pavarësinë e saj në shkurt 2008.
Për vite, Osmani i përkiste Lidhjes Demokratike (LDK) të formuar nga politikani i moderuar Ibrahim Rugova. Nga kjo parti ajo u nda në vitin e kaluar./albinfo/ KultPlus.com