Mehmet Aliu, shqiptari nga Zëmblaku i Korçës, themeluesi i Egjiptit modern që nisi karrierën si tagrambledhës

2 Gusht, 2024 - 2:49 pm

E pabesueshme por e vërtetë. Gjithçka është e gostitur si prej një dore të plotpushtetshme. Ylli i fatit të Mehmet Aliut ishte ylli që shndriti një prej qytetërimeve më të famshme të botës që po rrezikohej të shtypej nën peshën e varfërisë. Dinastia shqiptare që nis me korçarin Muhamed Ali pasha për të sosur me pinjollin Mbretin Faruk, riktheu botës Egjiptin madhështor të faraonëve dhe piramidave.

Nga Albert Vataj

Ndoshta bota nuk e njeh si të tillë, por etapa e famshme e rizbuluimit të një qytetërimi siç ishte ai faraonik dhe piramidave daton pikërisht në periudhën kur Egjipti sundohej nga shqiptarët.

Dora d’Istria: Mehmet Aliun e mbërtheu një pasion i tillë për Francën, sa mund të thuhet se Rilindja e perandorisë së Faraonëve të lashtë, është pasojë e një aleance franko-shqiptare!

Konsulli francez, Mourriez: E pyeta një ditë Mehmet Aliun pse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj: “I tillë jam dhe gjuha ime është shqipja. A nuk më kini dëgjuar kur u flas rojeve!… Shqiptar jam e shqiptar do vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë!

Fan Noli: Mehmet Aliu ishte vërtetë fetar, por aspak fanatik dhe ky fakt vendimtar e bënte të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë. Mendim ky i shkëlqyer, i vërtetuar plotësisht nga historia dhe i hedhur tej me neveri nga iluministët francezë të shekullit të 18-të dhe nga vetë revolucioni francez”.Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With EarthKeep Watchin

Historia e Mehmet Ali pashait të Egjiptit është një histori e jashtëzakonshme e një djali që lindi në Zëmblak të Korçës në vitin 1769. Familja e tij u shpërngul hershëm në Kavalla të Greqisë, qytet i ndërtuar nga Aleksandri i Maqedonisë për kujtim të kalit të tij. Mehmet Aliu ishte i 17-ti nga fëmijët e zëmblakasit, Ibrahim Agai, të cilët vdiqën njëri pas tjetrit.

Sipas legjendës, detyrën e parë publike Mehmeti e përmbushi kur ishte vetëm 18 vjeç. Një fshat aty afër nuk paguante taksat. Ai shkoi me 10 vetë të armatosur dhe kërkoi të takojë katër të parët e fshatit. I futi në xhami dhe iu premtoi se nuk do të dilnin gjallë nëse fshati nuk paguante taksat.

Në Egjipt shkoi ushtar i thjeshtë i Portës së Lartë, por shpejt u bë komandant dhe me kohë pasha. Udhëhoqi Egjiptin drejt përparimit, pavarësimit, shtet-krijimit dhe krijoi dinastinë mbretërore shqiptare pavarësisht se nuk dinte të shkruante dhe të fliste gjuhë tjetër përveç shqipes të cilën nuk e shkruante gjithashtu.

Në ditët kur Napoleon Bonoparti pushtoi Egjiptin i cili që nga koha e Sulltan Selimit kishte qenë pjesë e pandashme e perandorisë osmane, Mehmet Aliu, ashtu si edhe shumë myslimanë të tjerë, shtetas të perandorisë u ngrit për të mbrojtur këtë tokë të perandorisë osmane nga këta kolonizator të rinj.

Në krye të një batalioni me shqiptar, Mehmet Aliu marshoi drejt Egjiptit, ku pas përpjekjeve të ndryshme luftarake me francezët më në fund, Egjipti u çlirua nga zgjedha Bonaparte. Pas çlirimit të Egjiptit dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme civile, më në fund në vitin 1805 Mehmet Aliu më këshillën e sheikut të Azharit, morri fermanin nga Sulltani për tu bërë guvernator i Egjiptit së bashku me titullin Pasha.

Duke parë situatën e prapambetur të Egjiptit të asaj kohe, Mehmet Aliu ishte ai që filloi zhvillimin e vendit dhe të vetes së tij. Një hov të madh, drejtuesi shqiptar i Egjiptit i dha bujqësisë, industrisë e tregtisë, duke rritur mirëqenien në popull.

Në Aleksandri, Rozet, Damiet e gjetkë, nisën të ndërtoheshin fabrika të mëdha, ndërsa francezët jepnin mbështetjen. Më tepër se njëmijë anije përshkonin Nilin.

Kështu, qyteti i faraonëve nisi të zbulohej. Misione francezësh u morën me arkeologjinë. Më 1822, Çampollion gjeti dhe zbërtheu alfabetin e hieroglifëve, duke kurorëzuar një punë të nisur që më 1798-n.

“Gjithë mbretnija e Mehmet Aliut është nji punë e rrallë dhe e çuditshme në historinë e botës, është nji varg triumfesh të papreme, nji rradh fitimesh të luftës e të diplomacisë, prapa të cilave mbeti i habitur historiani”, shkruan në librin e tij, Aleksandër Xhuvani.

Më 1824, si rrjedhojë e kryengritjeve të barbarëve në Greqi, Sulltan Mahmudi i II-të që nuk mund ta shtypte dot këtë rebelim grek, thirri në ndihmë Mehmet Aliun, i cili duke çuar në krye të kësaj ekspedite djalin e tij, Ibrahim Pashën, arriti që të shuajë dhe shtypë revoltat në Greqi. Si rrjedhojë e kësaj fitoreje, Mehmet Aliu u shpërblye nga Sulltani që të bëhej edhe guvernator i Kretës. Fuqitë e mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia), duke parë shtrirjen e gjerë që Mehmet Aliu pati që nga Sudani e deri në Kretë, më 1827 dërguan armatat e tyre për të luftuar Ibrahim Pashën, të birin e Mehmet Aliut, i cili pas përplasjes me fuqitë e mëdha u thye, dhe u detyrua që të lëshojë shtypjen e terrorizmit grek. Ai la në fushën e betejës 93 anije lufte.

Më parë, ai dhe i biri i tij Ibrahimi, ata kishin shkatërruar lëvizjen vahabiste që kishin pushtuar Mekën dhe Medinën. Ata madje arrestojnë liderin e shtetit vahabist, Abdullah bin Saud, i cili do të ekzekutohet në Stamboll.

Pas betejës tjetër të vitit 1839 që e fitoi, djali i Mehmet Aliut, Ibrahim Pasha, i cili theu Ushtritë osmane, në Konia të Anadollit, filloi marshin për në Kostandinopojë, ku sipas shumë historianëve, ambiciet e Mehmet Aliut ishin që ai të bëhej Sulltan i shtetit Islam. Por, duke parë forcën dhe vitalitetin e Mehmet Aliut, fuqitë e mëdha e ndaluan dhe kërcënuan sërish Mehmet Aliun, që të mos avanconte më tej.

Pas kësaj përpjekjeje të fundit, Mehmet Aliu u tërhoq në Egjipt, ku atij iu njoh e drejta e Khedivllëkut mbi Egjipt (lloj mbretërimi), nga ku gjenerata e nipërve të tij udhëhoqi deri në vitin 1952.

Më 2 gusht 1849, Mehmet Ali Pasha vdiq në Aleksandri. Trupi i tij u mbështoll me një shall kashmiri, në kokë i vunë festen tuniziane dhe shpatën e tij. Arkivoli u përcoll nga 22 sheikë, që lexonin vargje nga Kurani deri kur mbërriti në xhaminë e Alabastrs në Kajro, ku u varros. Kjo ishte historia e shqiptarit nga Kavalla, që s’dinte shkrim e këndim, por që mundi brenda pak vitesh ta transformojë Egjiptin apo Misirin e prapambetur në një port të ndërveprimit të kulturave evropiane dhe egjiptiane.

Ismail Pasha është pasuesi i Mehmet Aliut që mbahet si modernizuesi i Egjiptit. Ai sundoi nga viti 1863 deri më 1879.

Ai ishte udhëheqësi që themeloi shërbimin postar, modernizoi ushtrinë duke e kthyer atë në një ushtri bashkëkohore, bëri ndërtimin e hekurudhave. Por ajo që mbahet si vepra jo vetëm më e madhe në Egjipt, por në mbarë botën, ishte ndërtimi i Kanalit të Suezit: një kanal artificial detar, me një gjatësi prej 163 kilometrash – nyja që lidh hemisferën perëndimore dhe atë lindore të tokës. Kanali i Suezit ka rëndësi të madhe strategjike, për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detarë për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme. Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869. Kostoja e lartë e ndërtimit të këtij kanali detyroi Ismail Pashën t’ua shiste kanalin anglezëve, të cilët e ndërruan me koncesion.

I fundmi i dinastisë së Mehmet Aliut ishte mbreti Faruk, i rrëzuar nga froni prej kryengritjeve nacionaliste.

Më 1952-shin kohërat ndryshuan në Egjipt. Nacionalistët nuk pranonin më të drejtoheshin nga dinastia e mbretërisë. Revolucioni i udhëhequr nga gjenerali Abdul Naser e rrëzoi dinastinë me gjak shqiptar. Më 26 janar 1952 ndodhi një djegie e pjesshme e qytetit të Kairos dhe më 23 korrik, kur Faruku ishte në Aleksandri, grupi komplotist “Oficerët e Lirë” me në krye gjeneral Naguib morën nën kontroll Kairon.

Mbreti Faruk emigroi në Itali dhe vdiq në Romë në vitin 1965.

MEHMED ALI PASHA

Nga Sami Frashëri*

Në sajë të transformimit të administratës së mbarë Egjiptit dhe në saje të organizimit të mirë për përmirësimin e reformave të ndër-marra, Mehmed Ali Pasha është personalitet që hapi shtigje të reja në zhvillimin dhe në civilizimin e vendeve të përmendura, ashtu që gjenerata e sotme duke e trashëguar atë, vazhdon valillëkun dhe hidivllëkun në vendet e Egjiptit.

Lindi në një fshat të rrethit të Korçës në Shqipëri në vitin 1183/1769. Ende kur ishte fëmijë, babai i tij, për shkaqe të ndryshme e lëshoi vendlindjen dhe së bashku me familjen u shpërngul për në Kavallë. Mehmed Aliu u rrit aty. Merrej me tregti të duhanit gjatë kësaj kohe. Veç kësaj, ai posedonte edhe talent ushtarak dhe luftarak që ishte një talent dhe karakter natyror i tij.

Në kohën kur regjistrohej dhe tubohej ushtri për ta shpëtuar Egjiptin nga një gjendje kaotike që e kishte përfshirë pas pushtimit të Francës, edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, mblodhi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve shqiptarë dhe ia mësyu asaj ane. Pat hyrë në koalicion me Hasan Pashën nga Pojana që ishte komandant i ushtarëve shqiptarë të Egjiptit. Në disa luftëra që ndodhën, e sidomos në luftën e Ebu Kirit, tregoi një trimëri të jashtëzakonshme me ç’rast fitoi nder, respekt, dhe simpati të madhe. Në mosmarrëveshjet që u paraqitën në mes Husrev Pashës, i cili ishte vali i Egjiptit me ushtrinë shqiptare dhe memalikët e Egjiptit, ky (Mehmed Ali Pasha) pati fituar një vend të rëndësishëm, ashtu që gradualisht u bë udhëheqës i ushtrisë shqiptare që gjendej në Egjipt.

Këtë fuqi filloi ta përdorte ashtu si dëshironte. Husrev Pasha, duke mos mundur të fitojë në këtë mosmarrëveshje (zënkë), u dobësua. Kur udhëheqja e Egjiptit ishte në një gjendje të çrregulluar dhe me shumë ngatërresa, Mehmed Aliu e mori ushtrinë në dorë, kurse Husrev Pashën e detyroi të tërhiqet nga punët kryesore. Pasi që mori në dorë udhëheqjen e vendit dhe pasi që me lehtësi ktheu qetësinë e plotë në vend, cilësia e tij u paraqit te Porta e Lartë. Për kthyerjen dhe vendosjen e rregullit, disiplinës dhe qetësisë në vendet e Egjiptit, Porta e Lartë nuk mundi të gjejë rrugë dhe zgjidhje më të mirë se të emërojë Mehmed Aliun vali të Egjiptit.

Kështu, kur Mehmed Aliu në vitin 1800 u emërua zyrtarisht vezir i vilajetit të Egjiptit, pikësëpari në rivendosjen e besimit dhe të qetësisë e kuptoi se është e domosdoshme t’i qetësojë memalikët që u thonin jeniçerë të Egjiptit. Pasi pati sukses në këtë çështje, si hap të parë mori iniciativën që në të gjitha territoret islame të konsolidojë ushtrinë.

Kështu nga njëra anë, me fuqinë që e arriti si dhe me ndihmën e fëmijëve të tij Ibrahim Pashës dhe Ismail Pashës, i zgjeroi territoret nga ana jugore e Egjiptit, në drejtim të Nubes dhe Sudanit, e nga ana tjetër, përmes shkollave që i themeloi për shkencat ushtarake dhe mjekësore si dhe përmes asociacioneve të përkthimeve u botuan dhe u përhapën njohuri të reja. Njerëzit e aftë dhe dijetarët me njohuri shkencore dhe industriale që i mori nga Evropa,dhanë mund të jashtëzakonshëm në zhvillimin e industrisë dhe bujqësisë, gjë që për një kohë shumë të shkurtër e gjallëroi Luginën e Nilit dhe vendet më të pazhvilluara të Egjiptit dhe shtoi mbjelljen e llojllojshme të prodhimeve bujqësore: oriz, pambuk, panxharsheqer dhe njëkohësisht hapi shumë fabrika. Disa mija njerëz i rritën të ardhurat e tyre në një shkallë që nuk do të mund të shpresohej, pagat e të cilëve deri në atë kohë nuk do të mjaftonin vetëm për të paguar ushtarët dhe eprorët e tyre.

Kështu, shtetin e Egjiptit e solli në gjendjen e një shteti të madh me tokë të punueshme, pjellore. Në atë kohë vehabitët ishin shtrirë në shumë vende të Gadishullit arabik. Meqë prej tyre ishin rrezikuar edhe vendet e Hixhazit, pas urdhrit që e mori nga Porta e Lartë, e drejtoi ushtrinë nga ato anë, ku pastaj vetë u kthye, por aty si zëvendës e la djalin e vet Ibrahimin, i cili, duke u përpjekur gjashtë vjet rresht, e theu forcën dhe e shkatërroi organizatën e tyre, mirëpo, gjithnjë frigohej nga ata. Edhe në revolucionin e Greqisë, Ibrahim Pashën e dërgoi me ushtrinë egjiptiane në More. Aty u detyrua të qëndrojë tre vjet me qëllim që të kthejë qetësinë dhe të shuajë kryengritjen. Me rastin e një havarie iu pat djegur flota.

Pas këtyre rezultateve, nga ana e shtetit iu dha të qeverisë edhe Siujdhesën e Kretës. Më në fund Porta e Lartë ia vërtetoi dhe ia pranoi të qenët trashëgimtar në gjeneratën (dinastinë) e vilajetit të Egjiptit të Mehmed Ali Pashës.

Duke filluar nga ajo kohë ishte i angazhuar t’i udhëheqë mirë të gjitha vendet e Egjiptit dhe ato që i pushtoi në drejtim të Sudanit. Pat sukses në shumë reforma dhe në zhvillimin e vendit. Në vitin 1264/1847 u sëmur rëndë, kurse autorizimi për vali, me ferman iu drejtua djalit të tij, Ibrahim Pashës. Pas një sëmundje të rëndë dyvjeçare, më 1849 vdiq në Aleksandri.

Mehmed Aliu ishte një njeri shumë i mençur; mund të konsiderohej njeri i pashkollë, sepse edhe atë pak shkollë që e kishte, e kishte bërë pas moshës 45-vjeçare.

Ai e çmonte civilizimin e ri dhe përparimin. Pasi e mori fuqinë në duart e veta, për një kohë shumë të shkurtër i nxori në shesh gjërat e dobishme dhe jo të dobishme, dhe kështu ia doli që një shteti, në mënyrë të pashembullt, deri atëherë, t’ia sjellë civilizimin dhe përparimin.

Tyrbja (mauzoleu) i tij gjendet në Kajro, e punuar në mënyrë të përsosur, kurse në Aleksandri është përmendorja e tij e bronztë. 

*Marrë nga vëllimi Kâmûs al-a’lâmi/KultPlus.com

Të ngjajshme