1 Gusht, 2024 - 12:39 pm
Studimi, përmirësimi dhe hartimi i politikave dhe mekanizmave mbështetës financues në fushën e artit dhe kulturës, janë fokusi i Memorandumit të Bashkëpunimit të firmosur sot mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe United Nations Association Albania (UNAA).
Ky bashkëpunim nisi menjëherë pas prezantimit të rezultateve të studimit të realizuar nga UNAA dhe mbështetur nga ArtNexus “Mbi Mekanizmat e Mbështetjes dhe Burimet Financiare për Artet Pamore në Shqipëri” ku u trajtuan problematikat dhe sfidat me të cilat ndeshen artistët pamor në vendin tonë dhe ku u ngrit nevoja e një dialogu të vazhdueshëm mes institucioneve publike dhe komunitetit artistik në Shqipëri.
Përmes kësaj marrëveshje synohet të përmirësohen skemat e shpërndarjes së mbështetjes financiare jo vetëm në fushën e arteve pamore, por edhe më gjerë si: artet skenike, festivalet, artizanati, trashëgimia kulturore, etj.
Me anë të kësaj nisme, fokus të veçantë do të ketë mbështetja e artistëve të rinj shqiptarë, pasurimi i kalendarit kulturor në të gjithë vendin, mbështetja e krijimtarisë, zhvillimi i rezidencave artistike, përfaqësimi kombëtar dhe diplomacia kulturore, mobiliteti artistik, mbështetja e organizatave kulturore e shumë programe të reja për të nxitur e mbështetur skenën e pavarur.
Pjesë e punës janë edhe takimet dhe konsultimet publike me grupet e interesit nga fusha e artit dhe kulturës shqiptare dhe institucionet e tjera. Ndaj në vjeshtën e këtij viti, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të organizojë një sërë takimesh dhe konsultash të titulluara “Zërat e Kulturës: Artistët flasin, institucionet dëgjojnë”, detajet e të cilave do të njoftohen në vijim në faqet zyrtare të MEKI-t./atsh/KultPlus.com