31 Janar, 2025 - 2:37 pm
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për grante “Fondi i artizanëve”.
Fondet do të ofrojnë mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe shoqatat e artizanëve që kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. MEKI bëri me dije se, kjo mbështetje synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale.
Kategoritë që mbështeten janë:
1. Mbështetje financiare për prodhimet artizanale. Kjo kategori mbështet artizanët që krijojnë produkte të artizanatit dhe dëshirojnë të zhvillojnë veprimtaritë e tyre. Fondi i parashikuar për këtë kategori do të jetë 500,000 lekë – 1,500,000 lekë.
2. Mbështetje financiare për transmetimin e dijebërjes ndër breza. Kjo kategori do të ofrojë mbështetje për trajnime dhe aktivitete që promovojnë kalimin e njohurive tradicionale dhe artizanale tek brezat e rinj. Fondi: 1,000,000 lekë – 2,000,000 lekë.
3. Mbështetje financiare për pjesëmarrjen në panaire dhe evente të trashëgimisë kulturore. Kjo kategori mbështet artizanët dhe shoqatat që prezantojnë punën e tyre në panaire dhe ngjarje kulturore. Fondi: 300,000 lekë – 1,000,000 lekë
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi në rrjetet sociale se, afati i dorëzimit të aplikimeve përfundon më 28 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com