Memorizimi: Personalizimi dhe protagonizmi

23 Nëntor, 2019 - 4:23 pm

Jo secili kujtim personal mund të bëhet histori kolektive. Por krizat e shoqërisë janë raste historike për të personalizuar të kaluarën dhe në emër të saj, për të keqpërdorur të sotmen. Edhe për të shndërruar historinë në histeri.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Protagonistët, qofshin ata dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, krijues apo vrojtues të tyre, kur dalin të komunikojnë me publikun ndërtojnë variantin e vetëdëshirueshëm, i cili domosdoshëm, rrëfimtarin e vë në rolin qendror, rreth të cilit duhet të sillet gjithçka. Një tendencë kjo e mundshme për ndryshimin e epiqendrës së ndikimit dhe rolit personal në të kaluarën, për të ndërtuar ndikimin e padiskutueshëm në të sotmen.  Ndodh kështu ndryshimi i roleve historike: personalja e përgjithshmja. Thënë me fjalët e shkrimtarit dhe aktivistit amerikan, James Baldwin, njerëzit janë të robëruar nga historia dhe historia është e robëruar nga ata. Një robëri e dyfishtë kjo që flet për pamundësinë e çlirimit nga mashtrimi i konvertuar në krenari fiktive.

Variantet e zgjedhura për “interpretim” në të tilla rrëfime pasohen me kronologjitë, të cilat përjashtojnë mundësinë për të vërtetuar dëshminë. Evokimi e pragmantizon historinë jocilësore, ngase nuk respekton kriterin e vërtetësisë dokumentare. Të tilla memorime me tepër përngjajnë në miksturë proverbash, legjendash, gojëdhanash dhe afshesh romantike, të cilat duan të formojnë kultin dhe mitin e rrëfimitarit apo protagonistit referencial. E kuptueshme, ndërtuesit e historive të tilla, ushqehen me copëza të vogla të të pavërtetave. Pretendohet se gjysmë të vërtetat janë mjet më se i mjaftueshëm që i ofrohet publikut. Por, nga kjo nuk duhet pritur falënderimin. Në këtë kontekst, po t’i referohemi Benjamin Franklin,gjysmë e vërteta shpesh është një rrenë e madhe.

Kjo pamje është shumë e pranishme, e vërteta, në botimet në Kosovë jo vetëm mbas vitit 1999, si pretendohet shpesh. Personalizmi i historisë strukturoi përmbajtjet kryesore të promovimit dhe propagandimit të liderëve, lidërthëve, personaliteteve strukturore, madje edhe të shumë ngjarjeve të ashtuquajtura dhe të vërteta historike. As në botimin e varianteve të zgjedhura të ngjarjeve dhe proceseve të këtyre decenieve të fundit, tregime plot këto, nuk plotësohet kriteri kritik, ai që është më themelori, në mënyrë që një rrëfim të bëhet i qëndrueshëm, mbase i besueshëm, paraprakisht duke pasur një hulumtim të plotë që mund të vërtetojë e faktojë saktësinë e të publikuarës. Kështu publiku në këto vite të fundit ka lexuar e dëgjuar shumë variante për një ngjarje, duke mos mundur assesi ta përcaktojë cilësinë dhe sasinë e kontekstit të së vërtetës. Ky është grepi joshës: pas historive të vogla a të mëdha, pasojnë fjalët, rrëfimet. Fjala komunikon një kuptim, qoftë e shkruar apo e folur, por nuk domethënë se ajo është një e shprehur e vërtetë. Njëjtë është edhe me dokumentin, që duhet lexuar dhe kuptuar saktësisht. Të gjitha dokumentet nuk thonë të vërteta.

Edhe gjithë procesi i decenieve të fundit në Kosovë, krijoi shansin e madh, ai që ka diç për të thënë apo ai që dëshiron diç të thotë, të duket në publik me variantin e historinë e interpretimit personal. Të ndodhurat personale paraqiten si ngjarje kolektive. Në këtë frymë shprehur, me mendimin e antropologut Richard Jeninks,ekaluara reflekton individualen si kujtim, ndërsa kolektiven si histori. Do kuptuar se jo secili kujtim mund  bëhet histori kolektive. Por ajo leht deformon në histeri.

Është andaj e natyrshme për publikun shqiptar vërshimi i evokimeve, dorëshkrimeve dhe dëshmive,  intervistave, vetintervistave etj., të cilat inkorporojnë në mënyrë mekanike fragmente të rrëfimeve, të cilat qëndrojnë ndërmjet synimit mirëkuptues për të glorifikuar diçka edhe të tendencës nënçmuese për të krijuar  iluzion të zgjatur, qoftë për veten-autorin, qoftë për ngjarjen. Në të tilla rrëfime mund të vërehet se kujtimi kolektiv duket një shfaqje që mbetet në suazat e post-traumës personale. Ato mund të jenë edhe me përvojat e pakëndshme që nuk pranohen si reale, të ndodhura, por të riorganizuara për të arritur efektin, qoftë edhe përkohësisht. Në të tilla rrëfime, mashtrimi mbulohet me të pavërteta dhe gjysmë të vërtetat, të cilat nuk i beson as vetë subjekti rrëfyes si të vërteta të plota, ndërsa këtë nuk e beson as vetë shkruesi, i cili nuk synon vërtetësinë, por plotësimin e kërkesës së rrëfimtarit-kryeprotoganistit për t’u paraqitur në dritën më të madhe. D.m.th. një hero i përkohshëm, por i papërsëritshëm.

E pavërteta publike, shtetërore (komuniste) ka një përvojë solide, pasi ishte instrument i ushtrimit të pushtetit të përditshëm. Ajo nuk është sall biprodukt i kulturës popullore të njerëzve siç rëndom interpretohet, por është skemë e vendosur mbi komunikimin publik të shoqërisë, pastaj e ushqyer me paramendim për mbajtjen e një gjendje të caktuar.

Në këtë sens, ka pasur shumë histori të ideologjizuara, shpifje e glorifikime personazhesh, data të ndryshuara, mashtrime rrëfimtarësh, fshehje e prerje fotografishë, retushime dhe dizejnime, rishkrime CV-ish, humbje dokumentesh e faktesh dhe jo pak madje edhe halucinacione. Rrëfimtarët she protagonistët në këto memorizime nuk paraqiten ata që ishin dhe ashtu siç ishin, me të mirat dhe të këqijat, por si figura perfekte, të pagabueshme dhe rrezatuese. Në rrëfimet e instrumetuara fshehen të gjithë ngjarjet, proceset, të cilat nuk i ndihmojnë ndërtimit të figurës krejtësisht reale të protagonistit kryesor, i cili për të shkëlqyer, ngjyroset krejt me të bardhë. Edhe kur nuk ka një kundërshtar, ai krijohet dhe ngjyroset me më të zezën për të nxjerrë pamjen e protagonistit-vetvetes krejt të bardhë. Amputimi e konspiracioni duket sikur përcjell dramën memorizuese.

Në jo pak paraqitje “publicistike” e “fejtonistike” nga protogonistë sporadikë, periferikë, po e mundshme edhe thelbësorë, nuk ofrohen fakte-dokumente, të cilat janë të vetmit dëshmues të së vërtetës, lidhur me një ngjarje, një proces a një person a personalitet. Dokumenti lë mundësinë që të përmbyten të gjitha variantet e zgjedhura të rrëfimtarëve, pavarësisht se në një periudhë krize të komunikimit, ai kërkon së paku fjalë të besueshme.Kur vërshojnë glorifikimet dhe kontrakturat mistifikuese personale, është e kuptueshme, se pason heshtja e qasjeve, shkrimeve dhe paraqitjeve kritike.

Mbase kështu duket të jetë më mirë, qoftë edhe përkohësisht, për t’mos shkatërruar iluzionin e të funksionuarit të paqes publike.

Paraqitjet e tilla në të parë rastësore, por në esencë të paramenduara, natyrisht për një kohë jo të shkurtër, mundësojnë amnistinë keqpërdoruese të së kaluarës dhe krijojnë konfuzionin, okupimin mbase edhe burgosjen e realitetit të dikurshëm për nevoja të të sotmes. Kjo e rigjallëron historinë romantike që është shumë e pasur dhe padrejtësisht, madje e mbulon ende jo pak me pluhur historinë kritike, mbetur kjo dukshëm edhe sot e kësaj dite peng i saj. A nuk e ka thënë moti këtë aq thjeshtë filozofi Fridrih Hegel: Historia ka tendencën e përsëritjes: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë. E mundur kaq lehtë të vazhdohet të luhet një lojë e tillë humoristike? Kjo e dyta farsa, pra. Mbase po, edhe pse e pabesueshme dhe e pajustifikueshme, pikërisht për shkak të përsëritjes së historisë si farsë e krenare, ku e vërteta, farsa janë ata që duan të jenë historia vetë. Express / KultPlus.com

Të ngjajshme