30 Qershor, 2024 - 7:30 pm
Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër ka organizuar Konferencën Ndërkombëtare “Parku Kombëtar i Vjosës: Dialogu i shkencës, kulturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
Studiuesit referuan për gjendjen aktuale, mirëmenaxhimin, resurset dhe perspektivën e zhvillimit të Parkut Kombëtar të Vjosës në shërbim të komunitetit lokal në jug të vendit.
Rektor i universitetit, Bektash Mema u shpreh nëpërmjet kumtuesve të ndryshëm do të sjellim shumë qasje të cilat do t’i shërbejnë planit të menaxhimit të parkut të Vjosës.
Ai tha se Konferenca e parë do të pasohet nga simpoziume të tjera të kërkimit shkencor si artikujt, projektet dhe forma të tjera diskutimi shkencor.
“Kemi synimin që universiteti i Gjirokastrës të shërbejë si një pol i rëndësishëm në këtë rajon jo vetëm për Parkun e Vjosës, por për të gjitha studimet dhe lidhjen e universitetit me komunitetin”, tha Mema.
Studiuesi Ksenofon Krisafi ka theksuar se “Vjosa është një lumë shumë i rëndësishëm i cili ndikon në klimën, mjedisin, florën, faunën, demografinë, ekonominë , zhvillimin e të gjithë njerëzve të kësaj zone”.
Ai ka thënë se nëse Vjosa nuk trajtohet me kujdes ajo ta shpërblen me atë mënyrë trajtimi që i bën njeriu.
Ndërkaq, autoritetet shqiptare kanë nisur tashmë punën për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore të mbrojtura nga UNESCO, nën programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur pak ditë më parë për mbajtjen e një takimi nga grupi teknik lokal, buzë Drinos në Tepelenë i cili ka nisur punën për përgatitjen e dosjes mbi përfshirjen e Luginës së Vjosës në programin “Njeriu dhe Biosfera” të UNESCO-s.
Kumbaro ka theksuar se “me një proces të drejtuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura u prezantuan për publikun të gjitha fazat e procesit të përfshirjes së Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në trashëgiminë botërore të UNESCO-s”.
I njohur si lumi i egër i fundit në Europë, Vjosa po tërheq një numër në rritje turistësh vendas dhe të huaj, duke u kthyer në një zonë të preferuar për zhvillimin e ekoturizmit./ KultPlus.com