24 Maj, 2020 - 3:00 pm
Adnan Merovci ka treguar se si 28 vjet më parë Presidenti historik Ibrahim Rugova ka shpëtuar nga një atentat që ishte kryer nga një serb.
Bashkëpunëtori i ngushtë i Rugovës tregon se gjatë rrugës, pas votimit në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale me datë 24 maj 1992, pak para hyrjes në një ndërtesë në “Lakrishtë”, një serb e ka hedhur një kavanoz të madh turshie nga lartësia me qëllim për ta goditur Kryetarin e LDK-së, njofton Klan Kosova.
“Pasi Kryetari votoi, dhe me grupin e përcjelljes e kthyem në banesë në ‘Lakrishtë’, pak para se me mbërri te hyrja e bllokut, papritmas, gjysmë metri para Kryetarit ra një mjet që më vonë e kuptuam se kishte qenë një kavanoz i madh turshie (rreth 10 kilogramë)”.
“Më vonë bëra hulumtimet e duhura dhe zbulova se kush e kishte hedhur atë kavanoz. Kishte qenë një familje serbe, e cila nga mllefi dhe padurueshmëria dhe urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve kishte dashur ta vriste Kryetarin, mu në ditën kur ai u zgjodh Kryetar i Kosovës. Vetëm Zoti i madh na shpëtoi nga ky rrezik i madh”.
Më poshtë mund ta lexoni rrëfimin e plotë të Merovcit:
Kujtesë institucionale!
Sot, 28 vjet më parë!
Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale (24 maj 1992). Falë Zotit shpëtuam nga një atentat të njejtën ditë!
Pas Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës së Kaçanikut dhe Referendumit për pavarësinë e Kosovës, më 24 maj 1992, në tërë Kosovën, u organizuan zgjedhjet shumëpartiake parlamentare dhe presidenciale. Ishte kjo një punë me mund deri në këtë ditë. Punuan shumë njerëz të inkuadruar në këtë proces. Qendra komunikuese ishte mu në ndërtesën e vogël të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Unë kryesisht merresha me logjistikën, me theks të veçantë në ditën e zgjedhjeve, sidomos për votimin që do ta bënte Kryetari në qendrën e votimit në “Lakrishtë”, aty ku Kryetari banonte, në ndërtesën e ish-”Ramiz Sadikut”. Më 24 maj 1992 kishim marrë të gjitha masat që votimi i Kryetarit të bëhej pa probleme. U mobilizuam dhe në përcjellje të Kryetarit u angazhuan shumë njerëz me disa vetura.
Në vendvotim arritëm rreth orës 10:00, ku kishte shumë njerëz, gazetarë, votues dhe simpatizantë.
Regjimi i instaluar serb në Kosovë haptazi nuk pengoi mbajtjen e zgjedhjeve, por vende-vende bëri pengesa dhe pasojat ndiheshin me marrje në pyetje të shqiptarëve në të ashtuquajturat “biseda informative”, të cilat ishin shumë të pakëndshme dhe shpesh përfundonin me dhunë, plagosje, burgosje e deri në vrasje. Gjendja ishte e tensionuar dhe përveç nga eksponentët e regjimit serb të instaluar në Kosovë, rreziku vinte edhe nga qytetarët serbë, të cilët ishin agresivë, institucionalisht të armatosur dhe në çdo situatë ishin të mbrojtur nga regjimi. Ata bënin çdo gjë dhe epilogu dihej, fajtor janë shqiptarët. “Samo mrtav shiptar je dobar shiptar”, (Vetëm shqiptari i vdekur, është shqiptar i mirë), shkruante në hyrjen e dytë të “Lakrishtes” ku banonte RUGOVA.
Pasi Kryetari votoi, dhe me grupin e përcjelljes e kthyem në banesë në “Lakrishtë”, pak para se me mbërri te hyrja e bllokut, papritmas, gjysmë metri para Kryetarit ra një mjet që më vonë e kuptuam se kishte qenë një kavanoz i madh turshie (rreth 10 kg). Kujtdo që ky kavanoz i hedhur t’i kishte rënë në kokë, do të kishte pasoja fatale. Zoti deshi dhe hedhësi i saj, një serb, nga katet e larta që më vonë e zbulova, si dhe nga cila banesë ishte hedhur, nuk kishte bërë kalkulimin e saktë kur duhet hedhur kavanozin, ashtu që ai t’i binte në kokë, kujt tjetër përveç Kryetarit RUGOVA.
Zoti i madh na shpëtoi të gjithëve nga një fatalitet i sigurt. Të gjendur në situatë të tillë, kur në shpejtësi, perceptimi për t’ia qëlluar se çka ishte ky mjet, që në fillim m’u duk si eksploziv, reagova instinktivisht, duke dashur ta evakuoj Kryetarin, e mbulova me trup, duke dashur ta fus në hyrje për ta larguar nga ky vend i rrezikshëm. Kthimi mbrapa ishte rreziku i hedhjeve të tjera, futja brenda në ndërtesë ishte një rrezik tjetër. Nuk dija çka mund të na priste në korridor të hyrjes së errët të ndërtesës. Kryetari si me humor më vonë e ka shpjeguar këtë rast si rrezik më tepër nga reagimi im se ajo që ndodhi. ” Adnani me shpejtësi dhe fuqi më rroku përpara duke më përmbledhur në hyrje. Desh m’i thej eshnat”, iu kishte thënë bashkëpunëtorëve. Ky ishte një rrezik potencial dhe falë Zotit shpëtuam. Më vonë bëra hulumtimet e duhura dhe zbulova se kush e kishte hedhur atë kavanoz. Kishte qenë një familje serbe, e cila nga mllefi dhe padurueshmëria dhe urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve kishte dashur ta vriste Kryetarin, mu në ditën kur ai u zgjodh Kryetar i Kosovës. Vetëm Zoti i madh na shpëtoi nga ky rrezik i madh.
Nëna e Kryetarit, Sofa, duke mos pasur mundësi që vetë të shkonte në vendvotim për të votuar, organizuam ekipin mobil në krye me Jakup SHALËN, i cili si në shumë raste të tjera specifike, shkoi në banesën e saj dhe mundësoi votimin nga banesa. Ishte kjo një ditë shumë e rëndësishme, sepse po organizoheshin zgjedhjet e para demokratike në historinë e Kosovës. Në këtë ditë unë kisha angazhuar një komunikim me radiolidhje për grupin përcjellës me ”voki-toki”, të cilat për herë të parë i përdorëm publikisht. Ishte ky një rrezik i madh, sepse filmoheshim nga gazetarë të ndryshëm dhe radiolidhjet ishin mjete rreptësisht të ndaluara, sikur të kesh armë. Pas votimit u kthyem në banesën e Kryetarit. Grupi i sigurimit u vendos në një banesë të afërt me Kryetarin, ku një natë më parë e kisha rezervuar për të ndenjur tërë natën.