Mesazhi i Lorik Canës për Ditën e Arbëreshëve dhe Samitin e tretë të Diasporës

16 Nëntor, 2023 - 11:13 pm

Kryeministri Edi Rama përcolli sot mesazhin e futbollistit Lorik Cana për pjesëmarrje në Ditën e Arbëreshëve dhe Samitin e tretë të Diasporës që pritet të zhvillohen në Tiranë më 22 dhe 23 nëntor.

Rama bëri të ditur se ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit Lorik Cana po përgatit edhe një dokumentar për arbëreshët.

“Vetëm pak ditë na ndajnë nga Dita e Arbëreshëve dhe Samiti i tretë i Diasporës e së bashku me Lorik Canën, futbollistin tonë, i cili prej muajsh po përgatit një dokumentar shumë interesant për arbëreshët, ju ftojmë të na bashkoheni në 22 dhe 23 nëntor për të bashkëbiseduar për artin, kulturën, arsimin, sportin dhe biznesin, çështje që na prekin të gjithëve ne. Le të shohim të ardhmen së bashku”, u shpreh Rama.

Cana në mesazhin e tij përcjell ftesën për Ditën e Arbëreshëve dhe Samitin e tretë të Diasporës siç shprehet ai “si shqiptar i Kosovës i rritur në Diasporë”.

“Në 22 nëntor është dita e arbëreshëve, një identitet i yni jashtë vendit, por që e kemi pasur në zemër. Ky komunitet ka luajtur një rol kyç në historinë tonë dhe që meriton të jetë në qendër të vëmendjes. Më 23 nëntor, në Samitin e Tretë të Diasporës, me bashkatdhetarë për të bashkëbiseduar për të ardhmen e përbashkët”, tha Cana./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme