26 Dhjetor, 2024 - 3:57 pm
Kalaja e Rozafës përjetoi sot një moment të veçantë. Mesha e Shenjtë për nder të Shën Shtjefnit u kremtua sot në rrënojat e Katedrales së hershme në Kalanë e Shkodrës, duke rikthyer traditën dhe përkujtimin e këtij shenjtori.
Shën Shtjefni konsiderohet si shenjtori mbrojtës i qytetit të Shkodrës.
Ceremonia, e organizuar nga Arqipeshkëvia Metropolitane Shkodër-Pult, mblodhi besimtarë dhe figura të rëndësishme të komunitetit për të nderuar trashëgiminë shpirtërore dhe historike të qytetit.
Kisha e Shën Shtjefnit, e ka origjinën në kohë të largëta. Duke qenë e vendosur brenda mureve të Rozafës, kjo kishë pati privilegjin të ishte kishë e parë (katedrale), mes kishave e abacive të tjera që ngriheshin përherë e më të shumta jashtë perimetrit të mureve, aty ku shtriheshin lagjet e jashtme të qytetit.
Nuk dihet se cilit shenjtor i ishte kushtuar fillimisht kisha në Rozafë, por dihet që u ngrit në shek. XIII, kohë që përkon me përhapjen në krejt këtë zonë të kultit të protomartirit Shën Shtjefni.
Shën Shtjefni u shpall pajtor i qytetit dhe festa e Shën Shtjefnit kremtohej çdo vit me hapjen e një panairi të madh në sheshin para kishës, që grumbullonte tregtarët e gjithë zonës, përfshirë ata të ardhur nga Venediku e nga Republika e Raguzës.
Edhe Kisha e Madhe, siç njihet ndryshe Katedralja e Shkodrës, i kushtohet Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor të qytetit, sipas Kishës Katolike. Ajo është ndërtuar më 7 prill 1858, kur vendi ishte ende nën sundimin e Perandorisë Osmane./KultPlus.com