11 Nëntor, 2022 - 1:19 pm
Prishtinë, 11 nëntor 2022 – Si pjesë e organizimit të aktiviteteve të shumta në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Shkolla Finlandeze po organizon edicionin vjetor të kodimit dhe programimit, Junior Code Weekend Fest, më 19 nëntor nga ora 09:00-15:00, punëtori një ditore e cila fokusohet në zhvillimin dhe praktikimin e aftësive në teknologjitë më të avancuara në treg.
Gjatë punëtorisë, nxënësit do të kenë mundësinë të mësojnë bazat e kodimit dhe programimit nga mësimdhënësit e shkollës duke aplikuar teknologji të ndryshme inovative dhe gjuhë programuese të ndryshme. Në të njëjtën kohë nxënësit do të praktikojnë njohuritë e tyre të arritura gjatë punëtorisë dhe të krijojnë produkte teknologjike. Pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata në përfundim të projekteve të tyre.
Kush mund të marr pjesë?
Varësisht se a jeni fillestar apo të avancuar në programim, punëtoria është e hapur për të gjithë nxënësit. Të gjithë nxënësit e klasave 3-10 mund të marrin pjesë në punëtori duke plotësuar linkun e regjistrimit. Regjistrimi është i obligueshëm pasi që vendet e pjesëmarrjes janë të limituara.
Nxënësit duhet të kenë me vete laptop ose ipad me të cilën do të praktikojnë kodimin dhe projektet e organizuara gjatë ditës.
Ku mbahet punëtoria?
Punëtoria mbahet në lokacionin e Shkollës Finlandeze. Lokacioni mund të gjindet përmes linkut në vijim (lokacioni është afër rrethit të QMI, rruga për Ferizaj, kthesa në të majtë afër Orient Mobile). Nëse keni ndonjë pyetje ose kërkesë ju lutemi ndihuni të lirë të na kontaktoni përmes emailit ose telefonit në 045 235 650.
Rreth Shkollës Finlandeze
Duke filluar nga kopshti e deri në edukimin në shkollën e mesme, Shkolla Finlandeze zbaton qasjen e veçantë finlandeze të bazuar në projekte dhe praktikë; Zhvillimit të kreativitetit përmes lojrave dhe metodave kreative; Avancimit në shkenca dhe matematikë përmes eksperimenteve praktike dhe zhvillimit të njohurive të avancuara në robotikë dhe kodim. Sot, modeli arsimor finlandez udhëheq në botë si sistemi më i mirë arsimor për shkak të dallimit nga modelet tradicionale të arsimit dhe aplikimit të teknologjive dhe metodologjive më të avancuara dhe moderne të arsimit. Inspiruar nga sistemi i arsimit finlandez, i cilësuar si “mrekulli e arsimit” nga Banka Botërore, Shkolla Finlandeze aplikon metodat më inovative dhe moderne të mësimdhënies në edukimin e nxënësve dhe rritjen e tyre intelektuale, emocionale, dhe shoqërore.
Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësimdhënës të shkëlqyeshëm finlandez dhe ndërkombëtarë; me teknologji të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra, dhe jo vetëm lëndë; dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët, Shkolla Finlandeze në Kosovë është shkolla ndërkombëtare më inovative në vend me sistemin arsimor më të avancuar në Kosovë. / KultPlus.com