25 Korrik, 2021 - 8:57 am
Vetëm 7 mijë e 200 mësimdhënës janë vaksinuar deri më tani, derisa numri i përgjithshëm i personelit arsimor në nivel vendi është 24 mijë e 370.
Numri i vogël i mësimdhënësve të imunizuar po vlerësohet si brengosës dhe rrezik për vijimin normal të vitit të ri shkollor. Derisa nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit thonë se nuk ka ligj që e bënë vaksinimin të detyruar, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës deklarojnë se nuk do të kundërshtojnë nëse bëhen obligative vaksinimi i mësimdhënësve.
Në një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë, është bërë e ditur se deri më tani në Kosovë janë vaksinuar rreth 7 mijë e 200 mësimdhënës.
“Bazuar në të dhënat e deritanishme, në Kosovë janë vaksinuar kundër COVID-19 rreth 7200 mësimdhënës të niveleve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Numri i vogël i personelit arsimor të vaksinuar po shihet si shqetësues edhe për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ymer Ymeri, përfaqësues nga kjo sindikatë thotë për KosovaPress se nuk ka asnjë arsye që mësimdhënësit të refuzojnë vaksinimin.
Ai potencon se mos vaksinimi i mësimdhënësve mund të ndikojë që viti i ri shkollor të rrezikojë të nisë me prezencë fizike në objektet shkollore.
“Edhe për neve si SBASHK është brengosëse ky numër i vogël i vaksinimit të punëtorëve arsimorë, për shkak se siç e dimë është krijuar mundësia që të gjithë të vaksinohen dhe mos vaksinimi i punëtorëve arsimorë mund të shkaktojë mos fillimin e procesit mësimor në shkolla. Prandaj ju bëjmë apel edhe një herë mësimdhënësve, të gjithë punëtorëve arsimorë, në veçanti mësimdhënësve, të vaksinohen për shkak se ka kohë që të merret edhe doza e parë edhe doza e dytë para se të fillojë viti shkollor”, thotë Ymeri. /gazetaexpress/ KultPlus.com