3 Shtator, 2021 - 2:59 pm
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka rishikuar udhëzuesin për mësim në kohë pandemie, i cili javën e ardhshme do të jetë në dispozicion të drejtorive për arsim dhe shkollave.
Përveç tre skenarëve të paraparë edhe vitin e kaluar, është shtuar edhe një skenar bazik që parasheh mësimin në shkolla me prezencë të plotë.
Nga MASHTI është bërë e ditur se deri më tani janë vaksinuar 77 përqind e mësimdhënësve, derisa është potencuar se nga ministria janë bërë të gjitha përgatitjet që të fillojë viti i ri shkollor.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, bëri të ditur se kanë rishikuar udhëzuesin për mësim në kohë pandemie, për çka tha se janë skenarët A, B, C dhe si skenarë bazik është mësimi në shkolla me prezencë të plotë.
Ai potencoi se MASHTI ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor dhe deklaroi se presin që situata të përmirësohet dhe më 13 shtator të nis mësimi me prezencë në shkolla.
“E kemi rishikuar edhe udhëzuesin për mësim në kohën e pandemisë, i cili është hartuar vitin e kaluar dhe ky versioni i ri që sot është gati dhe javën tjetër do të jetë në dispozicion të DKA-ve dhe shkollave. Me këtë udhëzues parashihen skenarët e mundshëm për zhvillimin e mësimit në kushtet e pandemisë, përsëri janë ata skenarët A, B, C nga viti i kaluar, por është shtuar tani si skenar bazik një tjetër skenari i rikthimit i cili parasheh mësimin në shkolla me prezencë të plotë”, tha ai.
Pupovci bëri të ditur se deri më tash janë vaksinuar 77 përqind e mësimdhënësve, derisa u ka bërë thirrje të njëjtëve që të vaksinohen.
“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, sipas informatave që kemi nga 2/3, nga 19 komuna ku punojnë 2/3 e punonjësve të arsimit shkalla e vaksinimit është 77 përqind, që është për 5 përqind më e lartë se javën e kaluar kur e kishim shkallën e vaksinimit 72 përqind. Këto të dhëna duhet t’iu them që nuk janë të plota siç ju thash kemi vetëm 19 komuna, por i kemi 2/3 e mësimdhënësve që punojnë në Kosovë dhe meqë nuk janë të plota ne mund të supozojmë se kjo përqindje është diç më e madhe se 77 përqind. Ndërkaq nga raporti i IKSHPK-së nxjerrim përfundim se deri tani janë vaksinuar 2 mijë e 369 nxënës dhe 54 mijë 438 studentë, do të thotë edhe këtu kemi një shkallë të konsiderueshme të vaksinimit”, deklaroi ai.
Sa i përket vendimit të qeverisë që nga 13 shtatori të gjithë punonjësit publik duhet të posedojnë ndonjë certifikatë vaksinimi apo test negativ, Pupovci tha se i njëjti do të vlejë edhe për mësimdhënësit qoftë në institucionet arsimore private ose publike.
“Për institucionet arsimore ekziston në vendim një normë e veçante e cila vlen edhe për institucionet publike, por edhe për institucionet private. Pra, të gjithë punonjësit e arsimit ose duhet të jenë të vaksinuar ose çdo 72 orë të sjellin provën se nuk janë të infektuar, pra testin PCR ose atë testin serologjik. Ata nëse nuk i sjellin testet e tilla atëherë nuk do të mund të hyjnë në klasë dhe ajo nuk do të konsiderohet si mungesë e arsyeshme nga puna. Pastaj, aty ka sanksione kur njerëzit mungojnë pa arsye nga puna”, u shpreh ai.
Pupovci foli edhe për afatin e dytë të testit të maturës, i cili është mbajtur javën e kaluar. Ai bëri të ditur se për shkak të përdorimit të telefonit nga testi janë larguar 41 nxënës të cilëve u është anuluar testi, ndërsa për shkak të menaxhimit jo të duhur të situatës në klasa janë larguar tetë administrues./KultPlus.com