17 Mars, 2020 - 11:00 pm
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Hykmete Bajrami tha se po punohet për të filluar mësimin online.
Bajrami në RTV Dukagjini deklaroi se dëmet në arsim si pasojë e koronavirusit do të jenë të pariparueshme.
Ajo tha se shpresojnë në përmirësimin e kohës dhe uljen e rasteve të prekura me virus në mënyrë që të fillojë normalisht mësimi.
“Ne e kemi dhënë datën 27 mars si datë kur do të rifillojë mësimi, por kjo nuk dihet”.
Ministrja e Arsimit tha se po bëhen disa përgatitje për të nisur me mësimin online, por sipas saj as kjo nuk do ta zëvendësojë mësimin e humbur.
“Po punojmë me një ekip të MASHTI-it për mësimin online. Deri tash kemi pasë në dispozicion një platformë që është e dizajnuar disa vite më parë, por nga viti 2017 ajo platformë nuk është përdorur më, pra platforma është boshe”.
Bajrami deklaroi se ka gatishmëri nga kompani private, por asnjëra nga to nuk i ka materialet për të gjitha klasat.
Ajo bëri të ditur se për momentin janë duke i xhiruar materialet mësimore për t’u përgatitur për mësim online.
“Për momentin e kemi në dispozicion një kanal të RTK-së, por jemi duke punuar për një uebfaqe të veçantë që materialet të jenë në disponim edhe kur nuk janë në transmetim në RTK”. / Klan Kosova / KultPlus.com