12 Qershor, 2024 - 7:31 pm
Shumë prej mësuesve në shkollat tona kanë mangësi në njohjen e shqipes standarde.
Pedagogët e Fakultetit te Historisë dhe Filologjisë e kanë vënë re gjatë trajnimit të detyruar që zhvilloi Ministria e Arsimit.
Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë Shezai Rrokaj vjen më një propozim.
“Të kalojmë nga problematika e metodologjisë, e metodës së mësimdhënies, tek problematika e mirëfilltë e shkallës së përvetësimit të gjuhës standarde në shkolla, mendoj që një trajnim i kësaj natyre në një kohë që do të mendohet dhe nga Ministria e Arsimit si e përshtatshme do të ishte shumë i mirë. Ka një problematikë të zotërimit të shqipes standarde ose zyrtare siç thuhet dhe mendoj se shoqëri të reja siç është kjo e jona duhet ta shohin me një këndvështrim tjetër ndryshe nga shoqëri të cilat kanë një përvojë të përvetësimit të zyrtares shumë më të hershëm”, shtoi ai.
Por për problemet në sistemin parauniversitar Rrokaj nuk fajëson mësuesit. Programet mësimore kanë peshën e tyre.
“Tekstet shkollore janë të mbingarkuar me informacion, por jo doemos informacion i kohës, bën që fëmijët të mbetën të painteresuar. Ka përsëritje në shkallë të ndryshme, në cikle të ndryshme. Nuk është faji i mësuesve ata janë produkt i shkollës, nuk është faji i studentëve ata janë produkt i sistemit parauniversitar. Jo se dua ti lë barrën e fajësisë dikujt tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për këtë që ndodh, secili në hapësirën e vet të edukimit”, tha ai.
Për herë të parë shtatë universitete publike të vendit u përfshinë në trajnimin e mësuesve të lëndëve të ndryshme. Program që do të vijojë dhe vitin e ardhshëm. Pedagogët sugjerojnë përsëritjen e rregullt të këtij procesi e njëkohësisht verifikimin nëse dijet e marra zbatohen gjatë mësimdhënies në shkolla./abcnews.al/ KultPlus.com