“Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur”, retrospektiva e parë e veprës së Alexander Kluges në Kosovë

31 Janar, 2025 - 4:07 pm

“Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur” është retrospektiva e parë e veprës së Alexander Kluges në Kosovë. Kjo retrospektivë fton publikun tonë të njihet me krijimtarinë kryesore të kineastit, filozofit, producentit televiziv, autorit dhe intelektualit më me ndikim sot në Gjermani. Gjatë retrospektivës do të shtjellohen tema, si ajo e kujtesës, identitetit kolektiv dhe narrativat mbi ballafaqimin me të kaluarën dhe do të realizohet në bashkëpunim me Goethe-Zentrum në Prishtinë dhe Kino Armata.

Ithtari i Shkollës së Frankfurtit, Kluge prej kohësh cilësohet figurë qendrore në kinemanë, letërsinë dhe teorinë e medias gjermane. Si pionier i valës Filmi i Ri Gjerman, filmat e tij sfidojnë strukturat tradicionale narrative, duke ndërthurur trilerin, dokumentarin dhe filmin eksperimental. Trajtimet inovative të Kluges lëvrojnë tema mbi historinë, sferën publike dhe kontra-publike, duke shtjelluar e vendosur paralele përvojash kolektive dhe personale.

Veprat e tij karakterizohen nga një mendësi interdisiplinore, që mjegullojnë kufijtë mes zhanreve dhe formave e mjeteve te tjera të shprehshmërisë kulturore. Kluge përdor elemente filmike për të ndriçuar marrëdhëniet komplekse në shoqëri dhe të përvojave individuale. Ai shkon përtej përfaqësimeve të thjeshta dhe sfidon shikuesin të reflektojë në mënyrë kritike mbi realitetin.

“Në qendër të retrospektives është edhe koncepti i autorit mbi “kontra-publikat”, që i shtjellon kryesisht në filma, por edhe në platformën televizive, të ashtuquajturën DCTP (Development Company for Television Program), platformë kjo e pavarur mbi perspektivat alternative televizive dhe karakterin kritik. DCTP u angazhua si kundër-përgjigje ndaj monopolit të diskursit publik, duke i ofruar hapësirë zërave të rinj krijues, si dhe formave narrative të margjinalizuara në përgjithësi. Një peizazh i tillë mediatik ka evoluar edhe në pasluftën e Kosovës. Prandaj njohja e Kluges mbi kontra-publikat ofron njohuri të rëndësishme për nxitjen e formave pluraliste dhe alternative në komunikim”, thuhet në njoftim.

Retrospektiva paraqet një përzgjedhje të kujdesshme të filmave. Aty përfshihen: Lamtumirë ngjarjeve të djeshme (“Abschied von gestern”, 1966), një vepër e rëndësishme, që kritikon normat shoqërore dhe merr për bazë temën e tjetërsimit në Gjermaninë e pasluftës. Filmin Artistët nën çatinë e cirkut: të përhumbur (“Die Artisten in der Zirkuskuppel: Ratlos”, 1968), që u shpërblye me Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venedikut për qasjen e thellë dhe rolin e artit në shoqëri.

Krahas projektimit të filmave, retrospektiva përfshin edhe ligjërata, workshope dhe panele dikutimi. Studiues, artistë dhe krijues nga fusha të ndryshme të kulturës, do të shpalosin pikëpamjet dhe përvojat e tyre lidhur me krijimtarinë e Kluges në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të formësuar ligjërimin publik dhe narrativën e vet kulturore. Nata e hapjes do të përmbajë ligjëratën qendrore të Prof. Dr. Rainer Stollmann, me temën “Sferat publike dhe kontra-publike pas krizave”. Në kuadër të teorisë së Kluges, ai do inkorporojë disa aspekte që ndërlidhen me ngjarje të caktuara edhe çështjet e Kosovës. Në diskutim përmes platformës zoom/online do të përfshihet edhe artisti Alexander Kluge.

Meqë Kosova shënon 25 vjetorin e përfundimit të luftës, kjo retrospektivë shërben si urë lidhëse në mes të kaluarës dhe së tashmes së saj, duke ftuar audiencën të rimendojë mundësitë mbi diskursin publik, kreativitetin kulturor dhe këmbimin e njohjes së ndërsjelltë. Përmes trashëgimisë vizionare të Klugës, audienca vendore do të përfshihet në një komunikim mbi artit, kulturën e medias, dhe ballafaqimit me sfidat e historisë.

Retrospektiva realizoht si bashkëpunim i organizatës Stralli, Goethe Zentrum – Prishtina, Kino Armata dhe DAAD-Kosovo./KultPlus.com

Të ngjajshme