19 Dhjetor, 2020 - 12:30 pm
Presidenti Ilir Meta vlerësoi artistin e shquar të muzikës shqiptare pas vdekjes, Milto Vako me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Dekorimi i muzikantit, dirigjentit dhe pedagogut të paharruar, u bë me motivacionin: “Në vlerësim të punës së përkushtuar si pedagog dhe kontributeve të çmuara në drejtimin me profesionalizëm për vite me radhe të Katedrës së Dirigjimit në Fakultetin e Muzikës.
Me mirënjohje ndaj personalitetit të shquar, i cili me pasion e këmbëngulje përmbushi me sukses realizimin e shumë veprimtarive muzikore nën drejtimin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, duke u vlerësuar jo vetëm nga artdashësit, por edhe duke merituar çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Në fjalën përshëndetëse, drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit e kulturës në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se “Profesor Milto Vako është një nga emrat e nderuar në artin shqiptar. Aktiviteti artistik i tij zgjati gjatë gjithë jetës së tij, deri në momentin e ndarjes nga jeta, vetëm rreth 1 muaj më parë.
Aktiviteti artistik i dirigjentit të njohur nisi dekada më parë, kur i sapo kthyer nga Moska emërohet pranë Ansamblit Kombëtar, si udhëheqës artistik dhe më pas si dirigjent i korit të Teatrit të Operas dhe Baletit”.
“Në vitin 62’, profesor Vako bashkë me figura të tjera të njohura si Çesk Zadeja, Albert Paparisto, Hamide Stringa, Mustafa Krantja, etj, i dhanë jetë dhe themeluan Konservatorin Shtetëror të Tiranës. Si drejtues i korit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, profesor Vako arriti suksese, të cilat kanë mbetur në memorien e publikut edhe sot, ku do të veçoja fitimin e ‘Gjerdanit të Artë’ në Francë. Ndërkohë, si mjeshtër kori i Teatrit të Operas e Baletit përgatiti me profesionalizëm korin e TOB-it në vepra si ‘Mrika’, ‘Heroina’, ‘Skënderbeu’, etj”, – tha Meta.
Njëkohësisht, vijoi Meta, profesor Vako është autor i shumë përpunimeve e krijimeve origjinale korale, shumica e të cilave mbeten përfaqësuese të shquara në fondin e literaturës klasike korale shqiptare.
“Por, jeta nuk ka qenë aspak e lehtë për profesor Vakon. Në 1973 ai dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë sepse për regjimin e kohës, kishte përgatitur një shfaqje me pikëpamje shumë moderne dhe liberale. Por regjimi nuk u mjaftua vetëm me internimin e tij, por pas 2 vitesh internim në kushte jashtëzakonisht të vështira, arrestohet dhe dënohet me 7 vite burg për agjitacion e propagandë. Pas përfundimit të dënimit, profesori i Ferdinand Dedës, Gjon Simonit, Zana Shuteriqit e dhjetëra e dhjetëra studentëve të tjerë, punon si hidraulik në ndërmarrjen e mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Ai kurrë nuk shau njeri për padrejtësinë e madhe që ju bë, por vazhdoi punën e tij deri në vitin 1991, kur u rikthye si pedagog dhe shef i katedrës së kantos dhe dirigjimit në Akademinë e Arteve”, nënvizoi Meta.
Krue i shtetit u shpreh se “Profesor Vako vazhdoi të punojë edhe pas daljes në pension me dashuri e përkushtim, duke themeluar dhe drejtuar Koret e vajzave në Akademinë e Arteve si dhe korin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Studentët i jepnin forcë dhe dëshirë për të jetuar jetën dhe njëkohësisht e bënin krenar për aktivitetin e tyre kudo nëpër botë. Arti, të cilit i kushtoi gjithë jetën, ishte pasioni i tij madh”.
Për gjithë kontributin e shquar si pedagog dhe personalitet i shquar i fushës së muzikës, Meta e vlerësoi Profesor Milto Vako me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. /ata/ KultPlus.com