16 Nëntor, 2021 - 11:30 pm
Presidenti Ilir Meta ishte i ftuar nderi në takimin festiv me personalitetet e shquara dibrane, që u mbajt sot në Pallatin e Kulturës së Kamzës, me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Dibrës dhe betejës së Lanë-Lurës.
Në përshëndetjen e tij, Meta u shpreh se “sot kjo ngjarje është një burim frymëzimi për të gjithë ne dhe veçanërisht për brezin e ri”.
“Kjo ishte edhe beteja e fundit dhe ndër më heroiket ndaj pushtuesit serb, e zhvilluar në Lanë-Lurë, në vendin e quajtur Qafa e Gëlqeres. Një betejë e fituar, pavarësisht pabarazisë në numër dhe në armatime midis pushtuesit dhe patriotëve të Lurës dhe të Dibrës. Qindra luftëtarë dhe patriotë të Lurës, Reçit dhe Dardhës u përballën heroikisht me mijëra trupa serbe. Një shekull më parë më 28 tetor 1921, u zhvillua beteja finale, një beteja që shkoi në përplasjen trup më trup me pushtuesit”, tha Meta.
Presidenti vlerësoi se “ata patriotë dhe heronj, ruajtën trevat, traditat, familjet e tyre nga mizoritë e pushtuesit, ruajtën integritetin dhe pavarësinë e vendit”.
Meta shtoi se “falë edhe kësaj rezistence dhe heroizmi të pashoq, u bë e mundur tërheqja përfundimtare e trupave serbe, në fillim të dhjetorit të para njëqind viteve dhe u ruajtën të paprekura trevat shqiptare”.
“Një shekull më pas, burrëria, trimëria dhe heroizmi i patriotëve të Lurës dhe të Qarkut të Dibrës, na dëshmon se nuk ka gjë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë se sovraniteti dhe pavarësia e vendit, për të cilën është derdhur kaq shumë gjak dhe janë kryer kaq shumë sakrifica të panumërta”, tha Presidenti Meta. / KultPlus.com