Meta pret fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme nga Kosova, i quan aset kombëtar

31 Gusht, 2019 - 2:30 pm

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pritur dje nxënës dhe drejtues të Institutit Ndërkombëtar për Inteligjencë të Jashtëzakonshme “Atomi” – Prishtinë, që merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti e talente.

Në bashkëbisedim me ta, presidenti Meta vuri në dukje se fëmijët dhe të rinjtë me inteligjencë të jashtëzakonshme janë një aset i madh dhe i vyer i kombit tonë, burimi më i mirë e më racional për zhvillimin dhe mirëqenien, jo vetëm të Kosovës, por edhe Shqipërisë.

Kreu i shtetit vlerësoi se këta fëmijë dhe të rinj kanë nevojë të identifikohen dhe të përkrahen vazhdimisht, në përputhje me cilësitë dhe potencialin e tyre intelektual, në mënyrë që ta njohin dhe ta realizojnë maksimalisht veten.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë më të vëmendshme për mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve me inteligjencë të jashtëzakonshme, si një mundësi e shkëlqyer për progres shoqëror, por edhe për prezantimin me dinjitet të vlerave të kombit shqiptar, në përpjekjet për të kapur majat e shkencës, teknikës dhe teknologjisë botërore.

Duke u krijuar të gjithë hapësirën e nevojshme për të kontribuar së pari për zhvillimin dhe mirëqenien e të dy vendeve tona, të rinjtë me potencial të jashtëzakonshëm intelektual mund t’u prijnë edhe ndryshimeve, avancimeve e transformimeve të vrullshme globale në të gjitha fushat”, – u shpreh presidenti Meta. / KultPlus.com

Të ngjajshme