3 Maj, 2021 - 3:04 pm
Presidenti Ilir Meta përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, shprehet se Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit gjen shumicën e medias shqiptare nën censurën e qeverisë dhe oligarkisë.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit i gjen shumicën e mediave shqiptare nën censurën e Qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë.”
Presidenti akuzon se fondet publike përdoren gjerësisht për të censuruar lirinë e medias duke fshehur kështu të vërtetën.
“Fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare vazhdojnë të përdoren gjerësisht për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien.”
Meta thekson se krahas mohimit të së drejtës për të thënë të vërtetën gazetarët gjithashtu dhunohen dhe kërcënohen.
“Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar, së bashku me censurën dhe autocensurën.”
Presidenti e mbyll shkrimin e tij duke thënë se gazetarët dhe puna e tyre duhen mbrojtur si një e drejtë thelbësore për demokracinë.
“Liria e medias është thelbësore për demokracinë. Ne duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë çdo ditë gazetarët kurajozë në punën e tyre. Ata duhet të ndihen të sigurtë dhe të kenë qasje të plotë në informacionin që i shërben interesit publik, pa pritur që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste. Pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci!” / KultPlus.com