Meta vlerëson me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” humanistin e shquar arvanitas

3 Korrik, 2020 - 2:00 pm

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, humanistin arvanitas Dr.Panagiotis Koliomichalis me me motivacionin “Për kontribut të jashtëzakonshëm në fushën humanitare; në ruajtjen, njohjen, përhapjen dhe pasurimin e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare, arvanitase dhe të popujve të tjerë ballkanikë; si dhe në forcimin e miqësisë ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit grek.

Me mirënjohje për veprën e çmuar si koleksionist i gravurave, librave dhe pikturave të veçanta, pjesë e trashëgimisë kulturore e historike shqiptare dhe organizator i ekspozitave me ‘Dokumente për Shqipërinë dhe shqiptarët e Diasporës’”.

Në fjalën e tij të rastit gjatë ceremonisë solemne ku ishin të pranishëm Ambasadorja e Republikës Helene në Tiranë, Sophia Philippidou si dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Athinë, Adriana Hobdari përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe të MEPJ-së, personalitete, studiues dhe akademikë, diplomatë, drejtues institucionesh dhe anëtarë të Shoqatës kulturore “Lunxhëria”, Presidenti Meta u shpreh dy kombet tona kanë nxjerr burra të mëdhenj dhe gra të jashtëzakonshme të cilët kanë lindur me familje të përziera ose kanë jetuar ndër shekuj në territore të përbashkëta.

“I dashur Dr. Koliomichalis,

Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj dhe të babait tuaj, këtu ku do të jeni gjithnjë i mirëpritur!

Ju jeni një mik i jashtëzakonshëm i Shqipërisë dhe i shqiptarë, dhe vlerat tuaja humane janë të jashtëzakonshme.

Si mjek, filantrop, por edhe si koleksionist i apasionuar, ju keni trokitur ndër të parët në derën e Ambasadës sonë në Greqi, duke ofruar ndihmë në interes të qindra dhe mijëra shqiptarëve, të cilët kanë patur nevojë për përkujdesje shëndetësore, ilaçe dhe mjekim, në momente mjaft të vështira.

Me përulësi dhe përkushtim ju u keni shërbyer shqiptarëve në nevojë, duke marrë si këmbim një mirënjohje të thellë prej këtij komuniteti.

I motivuar nga një ndjenjë e fortë e dashurisë për Atdheun e babait tuaj, për Lunxhërinë dhe për Shqipërinë, ju keni punuar pa pushim për më shumë se pesë dekada, për të mbledhur dhe ruajtur një volum të jashtëzakonshëm objektesh koleksionuese, që përbëjnë një pjesë thelbësore të historiografisë dhe kulturës shqiptare, e shpërndarë në të katër anët e botës dhe shpesh e harruar në pluhurin e kohës.

Gravurat, pikturat, librat, kartat postare të panjohura më parë për publikun shqiptar, ju jo vetëm që i gjetët, por bashkëpunuat harmonikisht me të gjithë bashkëkombësit tanë në mënyrë që t’i promovonit ato në sytë e botës, si vlerat e një kombi me histori dhe tradita. Përmes punës tuaj humanitare dhe koleksionuese, dhe kryesisht për shkak të prejardhjes tuaj të përbërë nga dy shtete fqinje dhe mike, ju keni arritur të ngushtoni distancat artificiale që ekzistojnë shpesh midis popujve tanë që janë ndërlidhur qysh në gjenezën e tyre. Në fakt, dy kombet tona kanë nxjerr burra të mëdhenj dhe gra të jashtëzakonshme të cilët kanë lindur me familje të përziera ose kanë jetuar ndër shekuj në territore të përbashkëta. Për gjithçka që keni bërë për mbarë botën shqiptare ju falënderojmë dhe do ju jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin dhe punën tuaj të vyer!”, – u shpreh Presidenti Meta. / BalkanWeb / KultPlus.com

Të ngjajshme