12 Mars, 2022 - 12:42 pm
Machihico Hachiya (1903–1980), drejtor i spitalit të vetëm të mbetur në këmbë në Hiroshima, më 6 gusht 1945, kur qyteti u godit nga bomba e parë atomike, i ka regjistruar në këtë ditar ngjarjet përreth tij dhe vrojtimet e tij, nga ajo ditë e tmerrshme e epokës bërthamore deri më 39 shtator 1945.
6 gusht 1945
Ishin orët e para të një dite të bukur të qetë dhe të nxehtë. Gjethet e pemëve dridheshin, duke reflektuar dritën e diellit që shkëlqente në një qiell të kthjellët dhe, në kontrast, shkaku i hijeve, dukej më i freskët kopshti im, që unë e shikoja paksa i përhumbur, nga dera që shihte në jug, krahët e së cilës ishin hapur tërësisht.
I kisha veshur vetëm brekët dhe fanellën dhe po rrija shtrirë në dyshemenë e dhomës së ndejës, që të pushoja nga një natë përgjimi në spital, ku kisha qenë në turnin e rojës.
Papritur u verbova nga një shkrepje drite, e pasuar menjëherë nga një tjetër. Nganjëherë, nga një ngjarje, kujtohen hollësitë më të vogla: mbaj mend saktësisht se një fanar guri në kopsht u ndriçua nga një dritë e gjallë dhe unë pyeta veten mos ishte prodhuar nga një flakë magnezi apo mbase nga shkëndijat e një tramvaji në kalim.
Hijet e kopshtit u zhduken. Skena, që një moment më parë më ishte dukur aq e ndritshme dhe me hare dielli, u errësua, sendet u bënë të padallueshme. Me zor arrija të shquaja, mes reve të pluhurit, një shtyllë druri që më parë shërbente si mbështetëse në një qoshk të shtëpisë. Tash shtylla ishte shtrembëruar e tëra dhe çatia dukej se ishte gati të shembej.
Instinktivisht u çova të ikja, por mbetjet dhe trarët e shembur ma ka kishin zënë rrugën. Më mijëra kujdese arrita të çaja rrugë deri te roka* dhe zbrita në kopsht. Ndihesha jashtëzakonisht i dobët dhe m’u desh të ndalesha të mbushesha frymë. Për habinë time të madhe, i rashë në të se isha krejtësisht cullak. Çudi, mendova. Ku kishin mbetur brekët dhe fanella?
Shënim:
Roka – verandë e ngushtë përgjatë anëve jugore dhe perëndimore të shtëpive japoneze
Marrë nga Machihico Hachiya, Diario di Hiroshima, Feltrinelli, 1960./Gazetaexpress/ KultPlus.com