Mijëra vetë në protestën “Mesdita kundër Putinit”, përmbushin dëshirën e fundit të Navalnit

17 Mars, 2024 - 5:00 pm

Mijëra vetë dolën në qendrat e votimit në mbarë Rusinë të dielën, në atë që opozita ruse tha se ishte një protestë paqësore, por politike kundër rizgjedhjes së Presidentit Vladimir Putin.

Në një protestë nën moton “Mesdita kundër Putinit”, rusët të cilët kundërshtojnë Kremlinit dolën në qendrat e votimit të dielën në mesditë, për ta hedhur si të pavlefshme fletën e votimit, ose për të votuar për një nga tre kandidatët kundër Putinit.

Përpara vdekjes së tij, ish udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalni pati ofruar mbështetjen për këtë nismë nëpërmjet një mesazhi në mediat sociale.

Protesta u zhvillua mes masave ekstremisht të forta të sigurisë, me përfshirjen e dhjetëra mijëra policëve.

Presidenti i Rusisë pritet të zgjasë sundimin e tij edhe me gjashtë vjet të tjera, në një proces zgjedhor që pason një goditje të pashembullt të Kremlinit ndaj kundërshtarëve.

Votimi tre ditor për zgjedhjet presidenciale që mbyllet këtë të dielë mbahet në kushtet e një kontrolli të ashpër, që nuk lejohet asnjë kritikë publike ndaj Presidentit Putin dhe luftës që ai ka ndërmarrë ndaj Ukrainës.

Zgjedhjet janë fiktive dhe nuk përbëjnë sfidë për presidentin 71 vjeçar, pasi kundërshtarët politikë të tij janë në burg, ose në mërgim dhe kundërshtari më i ashpër i tij, Alexei Navalny vdiq në burg.

Tre kandidatët e tjerë në fletëvotim janë politikanë të profilit të ulët nga partitë opozitare që ndjekin vijën e Kremlinit.

Zoti Putin, i cili erdhi në pushtet në vitin 1999, pritet të sigurojë mandatin e tij të pestë, dhe nëse e arrin këtë, ai do t’ia kalonte Josef Stalinit dhe do të bëhej udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë që prej 200 vitesh.

Votimet zhvillohen në kushtet e masave shtypëse të pamëshirshme që kanë gjymtuar median e pavarur dhe grupet e të drejtave të njeriut dhe i kanë siguruar Presidentit Putin kontrollin e plotë të sistemit politik.

Edhe pse nuk kishte dyshime për rizgjedhjet e tij, për shkak të kontrollit të tij të plotë mbi Rusinë dhe mungesës së kundërshtarëve realë, ish agjenti i KGB-së kërkon të japë përshtypjen se ka mbështetjen e gjerë të rusëve.

Sipas autoriteteve vendase, në Rusi është shënuar pjesëmarrje e lartë në zgjedhje.

Udhëheqësit perëndimorë i kanë cilësuar zgjedhjet në Rusi si një tallje për demokracinë. /VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme