18 Shtator, 2024 - 1:39 pm
Java Kulturore Britanike vazhdoi aktivitetet e saj me masterclass-in nga Mike Figgis. Në Qendrën e Artit “Agimi”, ishin të pranishëm me këtë rast, kineastë të rinj e të apasionuar ndaj kinematografisë për të ndjekur ligjërimin e regjisorit, skenaristit e kompozitorit britanik, Figgis.
Mike Figgis erdhi për një seminar rreth realizimit të filmave me buxhet të limituar dhe pajisje minimale. Eventi ngjalli interes tek gjenerata e ardhshme e kineastëve dhe ishte një shkëmbim i vlefshëm njohurish midis industrisë së filmit në Mbretërinë e Bashkuar dhe asaj shqiptare.
Mike Figgis dha nga përvoja e tij e vyer, si një regjisor që është kandiduar 2 herë për çmimin Oscar, me veprën e tij “Leaving Las Vegas” (1995).
Falë Javës Kulturore Britanike, të rinjtë mundën të bashkebisedonin me një artist që ka nxjerrë dhjetra prodhime si në kinematografi ashtu edhe në televizion. Figgis përveç regjisë ka shkruar një pjesë të madhe të skenarëve që ekranizohen, si dhe ka shkruar muzikën për pjesën më të madhe të tyre./atsh/KultPlus.com