Ministri Çeku me vendim të prerë: Po restaurohet monumenti, e jo historia e Xhafer Devës

9 Shkurt, 2022 - 2:58 pm

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporitit, Hajrullah Çeku ka mbajtur një konferemcë për media ku ka folur për debatin që është krijuar së fundi pas vendimit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

Ministri Çeku thotë se restaurimi i këtij monumenti do të fillojë, sepse sipas tij po restaurohet monumenti e jo historia e Xhafer Devës, përcjell KultPlus.

Çeku tha se është në kontakt të përditshëm me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ambsadorin gjerman, ndërsa tha se ky projekt duhet të kryhet.

“Ne kemi nevojë ta përfundojmë këtë punë të nisur qysh vite më parë. Po restaurohet monumenti, nuk po rehabilitohet historia e Xhafer Devës. Pra, nuk po bëjmë asgjë, përveçse po e restaurojmë një monument, po embrojmë trashëgiminë tonë kulturore”, tha ai në konferencë për media.

Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë dje se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut. Por ministri Çeku thotë se “pezullimi nuk nënkupton që është analuar programi”.

Çeku e cilëson të panevojshme situatën e krijuar, duke thënë se kjo duhet të tejkalohet shpejt. Ai përsëriti se debati për këtë çështje e ka origjinën në Serbi.

“Fillimisht, në lidhje me një dimension të këtij debati, duhet ta themi qartë dhe ta përsërisim që populli shqiptar ka dhënë dëshmi të panumërta historike të angazhimit antifashist dhe angazhimit në mbrojtje dhe në shpëtim të popullësisë hebreje. Debati i ditëve të fundit e ka origjinën në Serbi dhe kjo shumë e qartë. Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion duke e portretizuar Kosovën si mohuese të Holokaustit. Ky është një narracion i gënjeshtërt, sepse faktet historike janë kokëforta dhe nuk janë në anën e Serbisë, qartësisht nuk janë në anën e historisë”, tha ai.

Objekti që mban emrin “shtëpia e Xhafer Devës”, Çeku tha se është estetikisht shumë i rëndësishëm, që e ka shënuar arkitekturën e re të Kosovës.

Pas restaurimit, Çeku tha se aty do të vendoset qendra rajonale e trashëgimisë kulturore në Mitrovicë, do të shërbejë për aktivitete muzeale, galeri arti e qendër dokumentimi.

“Dhuna kundër monumentit, kundër arkitekturës dhe artefaktit është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe me praktikat e mira evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, tha Çeku./ KultPlus.com

Të ngjajshme